FOL foli për Avokatin e Popullit
Rënia e kredibilitetetit, moszbatimi i rekomandimeve nga institucionet e tjera, kapacitetet e kufizuara, zvarritja e miratimit të ligjit, injorimi i Kuvendit të Kosovës, janë disa prej sfidave që e kanë përcjell institucionin e Avokatit të Popullit dhe si të tilla ndikohen negativisht në luftën kundër abuzimit me pushtetin, kanë thënë përfaqësuesit e Lëvizjes FOL.
Venera Ramaj nga Lëvizja FOL gjatë një konference për media të enjten ka publikuar raportin vjetor “Trekëndëshi jo funksional”, i cili pasqyron marrëdhëniet e Avokatit të Popullit me institucionet e tjera. Ajo ka thënë se nga monitorimi i aktiviteteve publike në media për Avokatin e Popullit që i ka bërë Fol, rezulton se prej 80 artikujve, rreth 40 kanë të bëjnë me aktivitetet dy javore të publikimit të raportit të punës të Avokatit për vitin 2009-të.
“Mos vëmendjen e duhur të institucioneve karshi Avokatit, rënia e kredibilitetetit, moszbatimi i rekomandimeve nga institucionet e tjera, kapacitetet e limituara, zvarritja e miratimit të ligjit, injorimi i Kuvendit të Kosovës, evidentohen si disa prej sfidave që e kanë përcjell këtë institucion dhe si të tilla ndikohen negativisht në luftën kundër abuzimit me pushtetin”, ka thënë Ramaj.
Sipas Lëvizjes FOL, moszgjidhja e zëvendësve, mungesa e stafit dhe e buxhetit, janë disa nga problemet të tjera të cilat i shtohen listës së gjatë të mungesave që e karakterizojnë institucionin e Avokatit të Popullit për vitin 2010.
Ramaj theksoi se në agjendën e legjislativit për vitin 2010-të deputetët shumë pak kohë kanë rezervuar për aktivitetet e Avokatit të Popullit, ku edhe kërkesat dhe rekomandimet të cilat ky institucion i bëri hasen në vesh të shurdhër, ndërsa për të tejkaluar këtë situatë Avokati propozoi forma të tjera siç janë themelimi i Gjykatës administrative, por edhe kjo sipas FOL-it ishte pa sukses.
Armend Pajaziti, koordinator i projektit, ka thënë se Kosova dhe institucionet e saj sërish janë kritikuar në raportin e Progresit të vitit 2010.