E Shtunë, 31 Tetor 2026

Evropë e Vajmarit?

29-02-2012 / Nga Harold James

Këtë mësim e nxori nga Vajmari, Konrad Adenueri, kancelari i parë i Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, dhe burri i cili, si kryetar i njërit prej qyteteve gjermane me shpenzimet më të larta të viteve njëzet, e kishte parë nga afër katastrofën gjermane. Tani, si atëherë, Evropa – një bashkësi e ndarjes së vlerave, ka nevojë të ruajë demokracinë në shtetet-kombe të kërcënuara nga kriza ekonomike

Qëndrimi i Gjermanisë në Evropë duket me të madhe i veçantë dhe i cenueshëm. Në kaosin e unifikimit gjerman më 1990, kur fqinjët e Gjermanisë ishin të tmerruar në gjigantin ri, kancelari i atëhershëm, Helmut Kohl, premtoi një Gjermani evropiane, jo një Evropë gjermane. Sot, megjithatë, kushtet e çdo përpjekjeje evropiane shpëtimi vihen qartësisht nga Gjermania. Ka një pranim të gjerë se Evropa ka nevojë për rritje themelore ekonomike, nëse e ka ndërmend të dalë nga kriza e borxheve. Por shqetësimet gjermane për stabilitetin – të bazuar në përvojën katastrofave gjermane ndërmjet dy luftërave – çojnë në drejtim të kundërt. Si pasojë e kësaj, është bërë modë të kritikohet Gjermania. Kritikët e Gjermanisë përqendrohen në dy pika kryesore: problem real evropian është teprica aktuale gjermane, dhe gjermanët në mënyrë perverse kapen për të kaluarën e tyre. Qëndrimi i tanishëm llogaridhënës i Gjermanisë është në akt, një çështje e moçme që është më e vjetër se unioni monetar evropian. Në vitet gjashtëdhjetë, Gjermania doli si ekonomia më e fuqishme dhe më dinamike evropiane, duke shënuar një rritje të jashtëzakonshme të eksporteve. Teprica e tanishme gjermane, e ardhur në radhë të parë si pasojë e baraspeshave tregtare, u shfaq shkurtimisht në vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar, ishte korrekte pas një rivlerësimi monetar të 1961-s, dhe pastaj u rishfaq me të madhe në fund të viteve gjashtëdhjetë, shtatëdhjetë, tetëdhjetë, dhe përsëri në vitet e para të mileniumit të ri.
Nëse prishja e baraspeshave rezultuese nuk do të mundë të financohej dhe strukturohej, do të kishte nevojë për një infuzion tjetër. Në intervale të ndryshme që nga vitet gjashtëdhjetë, partnerët evropianë të Gjermanisë, me theks të veçantë Franca, u përballën me prospektin e shkurtimeve dhe deflacionit me qëllim të korrektimit të deficiteve. Kjo alternativë nuk ishte joshëse për elitën politike franceze, sepse frenonte rritjen dhe garantonte jopopullaritet elektoral. Francezët (dhe vendet e tjera mesdhetare) preferuan zgjerimin monetar dhe fiskal gjerman, që do të dobësonte orientimin e fuqishëm eksportues të Gjermanisë. Por ky kurs nuk ishte gjithnjë jopopullor për gjermanët, të cilët, marrë parasysh politikën ndërmjet dy luftërave, shqetësoheshin për inflacionin dhe implikimet e tij. Politikëbërësit gjermanë menduan se çështja do të zhdukej me lansimin e unionit monetar, mbi bazën se askush në Shtetet e Bashkuara nuk çan kokën për bumin kalifornian që prodhon teprica (nëse dikujt ndonjëherë i ka shkuar në mendje kjo punë). Askush nuk u thotë kalifornianëve të shtrihen dhe të shkojnë në plazh kur moti është me diell.
Kritika e dytë, e përsëritur vazhdimisht nga laureati i “Nobelit” të ekonomisë, Paul Krugman, është se mësimi i supozuar i historisë gjermane është në mënyrë kronologjike artificial. Nuk ishte hiperinflacioni i viteve të para njëzetë të shekullit të kaluar që shkatërroi Republikën e brishtë gjermane të Vajmarit dhe i dha hov diktaturës naziste. Më i drejtë është pretendimi se demokracia ishte vrarë një dekadë më vonë nga depresioni dhe deflacioni. Ky kriticizëm i përkohshëm huq një element të rëndësishëm të politikës së paracaktuar gjermane të viteve të para tridhjetë të shekullit të kaluar. Në kohën e ardhjes së Depresionit të madh, Gjermania tashmë ishte goditur, duke qenë se më herët kishte bërë zgjidhje të gabuara. Është pikërisht kjo qasje që duhet të ngulitet njëherë e përgjithmonë në vetëdijen e politikës gjermane. Gjermanët kanë të drejtë t’i theksojnë paralelet ndërmjet kushteve në Evropën e sotme dhe atyre në kohën ndërmjet dy luftërave botërore. Ngjashmëritë konsistojnë në implikimet e zgjidhjes së regjimit monetar për sjelljen politike dhe legjitimitetin demokratik. Në fund të hiperinflacionit të vet, Gjermania mbylli veten në një regjim monetar, standardin ndërkombëtar të arit, që ishte i dizajnuar me qëllim që të ishte i kufizuar që e bënte të pamundshme daljen. Ishte krijuar përshtypja se vendi do të dukej kredibël dhe do të bëhej joshës për kapitalin e jashtëm.
Meqë strategjia dha sukses, të hyrat kapitale sollën në sektorin privat dhe publik një bum të madh. Qeveritë në të gjitha nivelet themeluan projekte politikisht atraktive, të shtrenjta në aspektin infrastrukturor.
Por kishte një tatëpjetë. Kishte një bum ekonomik, i çiftëzuar me një përvojë inflacioni, çoi në rritje të pagave që nuk shkonin për shtati me prodhimtarinë. Si rezultat i kësaj, Gjermania e Vajmarit humbi konkurrencën në fund të viteve njëzetë, në të njëjtën mënyrë sikur se bëri edhe Evropa Jugore në fund të dekadës së parë të këtij mijëvjeçari. Në të dyja rastet, ishte e qartë se të hyrat kapitale nuk do të zgjasnin përjetësisht, dhe si pasojë e kësaj rënia e konkurrencës do të sillte një fund të këtij bumi. Kur erdhi ndërrimi i madh, Gjermania tashmë kishte marrë tatëpjetën. Derisa të huajt dhe gjermanët parapëlqenin të tërhiqnin depozitat, bankat shkuan në qorrsokak dhe u detyruan ta ulnin shkallën e likuiditetit në nivelin më të ulët të çmimeve. Qeveria u detyrua të merrte përsipër shpëtimin e bankave. Duke qenë se ishte jashtë atij standardi të vlerës së arit, ishte detyruar të merrte masa të ashpra shkurtimi.
Marrë parasysh të gjitha këto tkurrje, nuk kishte rrugë të lehtë për ta kaluar. Dhe zgjidhja e vetme që kishte mbetur të zbatohej në fillim të viteve tridhjetë ishte imponimi i kontrolleve të kapitalit. Kriza ishte një humbje për demokracinë. Përgjigja e partive qartësisht demokratike të kohës ishte ikja prej përgjegjësisë politike për marrjen përsipër të vështirësive më të mëdha ekonomike. Qeveria e fundit parlamentare e Republikës së Vajmarit tashmë kishte falimentuar në mars të vitit 1930, nën peshën politike të një dileme të pamundshme fiskale. Shkurtimet e shpenzimeve acaruan të majtën: rritja e taksave zemëroi të djathtën. Partitë demokratike nuk përdorën mundësitë kushtetuese për provizione emergjencash nëpërmjet rrugëve parlamentare dhe kështu demokracia tashmë ishte rrënuar, përpara se Adolf Hitleri të emërohej kancelar në janar të 1933-së.
Problemet e bankave dhe të buxhetit, tkurrjet fiskale dhe shpërthimi i qeverive teknokratike “jopolitike: të gjitha janë tmerrësisht familjare për gjermanët me një ndjenjë të qartë për të kaluarën. Mësimi negativ i përvojës së kohës ndërmjet dy luftërave – se lejimi i më shumë mundësive nuk e zgjidh problemin – është tashmë i dukshëm në Evropën e sotme. Por ka edhe një mësim të mirë që mund të nxirret: mundësia e një rendi botëror që mbështet më shumë sesa nënvlerëson regjimet demokratike në këtë moment kur ata po marrin shkurtime të ashpra.
Këtë mësim nga Vajmari e nxori Konrad Adenueri, kancelari i parë i Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, dhe burri i cili – si kryetar i njërit prej qyteteve gjermane me shpenzimet më të larta të viteve njëzet – e kishte parë nga afër katastrofën gjermane. Tani, si atëherë, Evropa – një bashkësi e ndarjes së vlerave – ka nevojë të ruajë demokracinë në shtetet kombe të kërcënuara nga kriza ekonomike.

Komenti është botuar së pari në rrjetin “Project Syndicate”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›