E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sinjalet e para të përmirësimit për ekonomitë e vendeve të Bashkimi Europian

29-02-2012 / Nga Ilirian Dahri

Presidenti i Bankës Qëndrore Europiane, Mario Dragi, është shprehur optimist për ecurinë e ekonomiaë europiane. Sipas presidentit Dragi ekonomia e kontinentit të vjetër po stabilizohet madje hera - herës ka edhe ndonjë përmirësim të saj. “Kemi patur një trimestër të katërt shumë të dobët në vitin e kaluar. Tani është e mundur të konstatohet një stabilizim i saj madje ka dhe ndonjë sinjal, ndonjë sinjal të parë, drejt përmirësimit” – kështu ka deklaruar Dragi në një deklaratë të tij për shtypin pas përfundimit të mbledhjes të ministrave të G20. Sidoqoftë edhe pse shihet një progres i rëndësishëm, kriza e borxhit europian duhet përballuar me masa shumë të rrepta në mënyrë që në të ardhmen mos të krijohen situata të vështira siç është rasti i Greqisë. Të njëjtin mendim kanë patur edhe ministrat e financave të vendeve të G20 në takimin e zhvilluar në Qytetin e Meksikës një takim ky ku u mblodhën  fuqitë e industrializuara  si dhe ekonomitë emergjente të botës. G20 nga ana tjetër ka dashur të ushtrojë në njëfarë mënyre presion mbi Europën në mënyrë që kjo e fundit të forcojë instrumentet e saj kundër krizës që do të kapë një shifër prej 750 milionë eurosh. Sipas analistëve ndërkombëtarë, në takimin e Qytetit të Meksikës ka patur debate por këto nuk kanë qenë të përqendruar mes Europës dhe shteteve të tjera jo europiane. Sidoqoftë në komunikatën finale është konfirmuar se Eurorozona ka kryer një “progres të rëndësishëm”. Nga ana tjetër ajo që ka shqetësuar më shumë shtetet e G20 ka qenë papunësia që vihet re në shumë prej vendeve pa lënë mënjanë nga ana tjetër edhe rritjen e çmimit të naftës e cila është në rritje më tepër si pasojë e situatës gjeopolitike sesa e vetë tregut. Ndryshe nga takimi i Kanës që u zhvillua në fund të vitit të kaluar për vendin fqinj të Italisë nuk janë bërë referime të posaçme. Madje sipas zv/ministrit Italian të Ekonomisë Vittorio Grillo, gjatë darkës së punës ku çdo vend pjesëmarrës ka bërë një paraqitje të perspektivës ekonomike kombëtare, anëtarët e tjerë të G20 kanë shprehur vlerësimin e tyre për masat e marra nga Italia duke vlerësuar punën e qeverisë italiane. Sidoqoftë ka qenë një gjykim pozitiv dhe duke parë edhe tregjet duket se Italia po ecën mirë madje ka bërë përparime edhe në funksion të tregut të punës. Krijimi i vendeve të punës është diskutuar gjatë në takimin e zhvilluar në Qytetin e Meksikës duke dalë në konkluzionin se janë pikërisht të rinjtë  viktimat kryesore që vuajnë mungesën e vendeve të punës. Në të njëjtën kohë gjatë takimit u fol edhe për monedhën euro. Dhe Mario Dragi ka nënvizuar se “tregjet financiare kanë rritur besimin tek euro” dhe se “euro tashmë është në një vend më të sigurtë. Europa po ecën përpara ngadalë por në mënyrë të sigurtë”. Edhe sekretari i Thesarit amerikan, Timoti Geitner, ka dhënë vlerësimin e tij për aksionet “inkurajuese” të marra nga Italia dhe Spanja duke vënë në dukje gjithsesi se rritja e Europës është një proces i vështirë që mund të kërkojë vite. Sipas sekretarit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Eruopa ka reagur në “mënyrë të shpejtë” duke reduktuar rreziqet e një katastrofe të krizës globale”. Gjithçka po ecën mirë atëherë? Si për të ulur pak optimizmin drejtoresha e Përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar është shprehur se: “Nuk jemi ende jashtë rrezikut. Ekonomia botërore nuk është akoma jashtë zonës së rrezikut”. Sidoqoftë Lagarde ka shtuar se nëse ekonomia nuk u fut në një krizë të thellë kjo ka ardhur si rrjedhojë edhe e masave të marra nga Banka Qëndrore Europiane por sidomos nga reformat e ndërmarra prej vendeve të Eurozonës mes të cilave Italia, Spanja dhe Greqia. Natyrisht për Lagarde “papunësia është shumë e lartë në disa vende të ndryshme dhe ky është një motiv preokupimi. Tregu i punës është shqetësues pikërisht si sistemi fiannciar që është akoma i brishtë, si borxhi publik i lartë dhe çmimet e larta të naftës”. Ndërsa Komisari për Çështjet ekonomike Olli Rehn në përfundim të G20 ka nënvizuar se: “shikojmë sinjale rritjeje të stabilizimit të tregut dhe pres një kthim tek rritja për Bashkimin Europian dhe për zonën euro në simestrin e dytë të këtij viti. Në 48 orët e fundit kam patur perceptimin e një klime më positive mes partnerëve tanë. Aksionet tona janë qartësisht të njohura si efikase”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›