E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovarët duhanxhinj

Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Prishtinë dhe institucione tjera shëndetësore të vendit, kanë shënuar të hënën Ditën Botërore Kundër Duhanit, me ç’rast është vlerësuar se në Kosovë qytetarët e konsumojnë mjaft shumë duhanin dhe si rrjedhojë duhet një angazhim më i madh institucional për të shmangur këtë varshmëri. Me moton “Gjinia dhe duhani me theks në marketingun tek gratë”, drejtues të OBSH-së së bashku me ata nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe OJQ – KADC, i kanë diskutuar pasojat e duhanpirjes.

Shefi i Zyrës së OBSH-së në Prishtinë, Skënder Syla vuri në pah se qytetarët e Kosovës në një masë mjaft të madhe e konsumojnë duhanin, porse edhe ata që nuk e konsumojnë për 365 ditë të vitit i ekspozohen tymosjes së duhanit.

“Sikurse edhe në çdo vit edhe sivjet do të thotë çdo vit është një temë boshte e caktuar për ditën botërore pa duhan. Këtë vit i kushtohet perspektivës gjinore dhe duhanpirjes, apo përdorimit të duhanit me një theks të veçantë të qasjes së marketingut të duhanit nga kompanitë e ndryshme të duhanit, të cilat cak apo target i kanë femrat dhe vajzat në mënyrë që edhe ato të jenë pre e tymosjes së duhanit qoftë promovimit të tij, të cilat mund të kenë pasoja serioze për shëndetin”, ka thënë Syla.

Sipas tij, Kosova i bashkëngjitet iniciativës globale dhe duhet të angazhohet edhe më shumë me qëllim të luftimit të konsumimit të duhanit, dukuri kjo e cila në nivelin global merr jetën e miliona njerëzve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›