E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovarët në ‘Euro 2012’

Edhe pse Kosova e Shqipëria nuk garojnë në Euro 2012, tifozë kosovarë tashmë kanë marrë rrugën drejt bashkënikoqirit, Polonisë, për të përcjellë nga afër ndeshjen ndërmjet Italisë dhe Spanjës. Ka edhe të tjerë që planifikojnë të shikojnë nga tribunat ndonjë takim të Evropianit që filloi të premten.

Tifozët kosovarë ia kanë mësyrë Euro 2012. Në pamundësi për të shikuar përfaqësuesen e Kosovës ose të Shqipërisë në ndonjë eveniment të rëndësishëm, tifozët do të ngushëllohen duke përcjellë skuadrat e huaja.

Gent Berisha, nga Prishtina, të shtunën në mëngjese ka marrë rrugën drejt bashkënikoqirit, Polonisë, për të përcjellë nga afër ndeshjen ndërmjet Italisë dhe Spanjës, e cila do të zhvillohet të dielën në Gdansk.

“Unë fillimisht do të aterroj në Austri, ku do të bashkohem edhe me disa shokë të tjerë që jetojnë në Vjenë. Më pas, nga këtu me tren do të udhëtojmë drejt qyteti Gdansk, për ta përcjellë ndeshjen mes Spanjës dhe Italisë”, theksoi Berisha për Express.

“Unë do të bëj tifo për Italinë, të cilin ekip e simpatizoj prej kohësh. Po të ishte Kosova ose Shqipëria pjesë e Euro 2012, normalisht që do të shkoja për ato”, theksoi ai.

Ndërkohë, edhe Burim Shabani, i cili është tifoz i Real Madridit, planifikon që të shikojë ndonjë ndeshje të Euro 2012, respektivisht të përfaqësueses së Spanjës, të cilën e simpatizon.

“Besoj që me disa shokë të tjerë do të shkoj në Poloni për ta shikuar ndonjë ndeshje të Spanjës. Unë jam tifoz i Realit dhe kam dëshirë ta shoh kapitenin Casillas nga afër”, deklaroi Shabani.

Edhe në kampionatet e kaluara evropiane dhe botërore, shumë tifozë kosovarë nga Kosova, por edhe nga vendet e ndryshme evropiane ku jetojnë, kanë përcjellë ndeshje të rëndësishme nga afër.

Ndërkohë, drejt Polonisë e Ukrainës nuk pritet të udhëtojë ndonjë delegacion i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), me qëllim që të lobojë për ta përshpejtuar procesin e anëtarësimit të vendit tonë në UEFA e FIFA. Udhëheqësit e futbollit kosovar konsiderojnë se një lobim i tillë nuk do të jepte rezultate aq të dëshirueshme.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›