Nisma për bashkim

Për herë të parë, në Prishtinë janë mbledhur sportistët më të mëdhenj nga trevat shqiptare si Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe diaspora.
Në takimin mbarëkombëtar, që është mbajtur të shtunën nën organizimin e deputetit shqiptar, Fidel Ylli dhe presidentit të FC Prishtinës, Remzi Ejupi, është diskutuar për një rilindje të vlerave të jashtëzakonshme të shqiptarëve në sport.
Në mesin e pjesëmarrësve në këtë takim ishin Shaban Tërstena, fitues i medaljes së Artë Olimpike, Luan Krasniqi, ish-kampion i Evropës në boks, kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, Foto Strakosha e shumë e shumë të tjerë.
Mirëpo, nuk ishin vetëm sportistët të pranishëm, pasi aty kishte edhe nga politika e kultura shqiptare si Behxhet Pacolli, Glauk Konjufca e Çun Lajqi.
Në këtë takim u fol se si sporti duhet t’u paraprijë interesave politike, për nisma të përbashkëta në funksion të integrimit evropian të shqiptarëve. Po ashtu, u tha se bashkëpunimi është mënyra e vetme drejt një objektivi të përbashkët, ku përmes sportit të zhvillohet dhe të ngrihet imazhi i shqiptareve dhe sukseset e sportit t’i gëzojmë nën një himn dhe nën një flamur.
Deputeti i Partisë Socialiste, Fidel Ylli, kërkoi që të jetë një kombëtare e vetme dhe të ketë bashkëpunim më të madh në mes të dy qeverive, në mënyrë që të rilindë sporti shqiptar, pasi kjo është në të mirë të rinjve tanë.
“Mund të bëjmë një kombëtare, edhe pse jemi dy shtete. Këtë duhet ta bëjmë për të rinjtë shqiptarë. Bashkëpunimi është e vetmja mënyrë që të rilindë sporti shqiptar. Sporti i shërben më shumë se çdo gjë tjetër vendit tonë”, tha Ylli.
Ndërsa, kryetari i Komiteti Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, tha se tani është koha që politikanët tanë t’i lënë anash premtimet dhe të fillojnë e të bëjnë diçka konkrete.
“Është e kotë të bëhet diçka në sport nëse nuk e kemi mbështetjen e politikës. Ata çdoherë vetëm premtojnë dhe tash është koha që të bëjnë diçka konkrete”, theksoi Hasani.
Ai po ashtu tha se ata do të mundohen që ta kryejnë punën e tyre, e cila është që sportistët t’i ngrejë në nivelet më të larta, por të vetmuar dhe pa ndihmën e të tjerëve vështirë se mund të bëjmë diçka.
Edhe Luan Krasniqi ka qenë shumë i qartë, pasi kërkoi që në sport të punohet që nga shkollat e mesme, pasi nga aty vihen bazat në një shoqëri. Ai po ashtu ka kërkuar nga politikanët tanë, që nëse dëshirojnë që ta afirmojnë sportin kosovar, një gjë të tillë duhet ta bëjnë përmes Evropës, e assesi nga Turqia.
“Sporti ka shumë vlera në një shoqëri dhe për vendin tonë është shumë e rëndësishme që këto vlera të afirmohen dhe të kultivohen. Zhvillimi i sportit ndihmon në ngritjen e vetëdijes dhe integrimit social. Ne duhet të fokusohem që më shumë të punohet nëpër shkolla, pasi nga aty fillon gjithçka. Politika e Kosovës duhet që më shumë ta afirmojë sportin e Kosovës dhe ky afirmim shkon përmes Evropës dhe jo nga Turqia”, tha Krasniqi.
Kurse mesfushori i Lazios, Lorik Cana tha se duhet të punohet shumë që të bëhemi zotë të vetes që të mund të anëtarësohemi në organizatat ndërkombëtare.