Kosovë – KQZ publikon rezultatet paraprake për votat e partive politike

PRISHTINË 20 shkurt/ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot ka përditësuar rezultatet paraprake të partive politike për zgjedhjet e 9 shkurtit nga numërimi i të gjitha vendvotimeve sa ishin 2533 në tërë komunat.
Në bazë të këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 342 mijë e 281 vota apo 40.80% , PDK ka marrë 184 mijë e 811 apo 22.03%, pasuar nga LDK-ja e cila ka marrë 147 mijë e 888 apo 17.63% dhe koalicioni AAK, Nisma Socialdemokrate, ka marrë 62 mijë e 588 apo 7.46%.Deri më tani nuk janë numëruar votat e diasporës, votat me kusht dhe votat e personave me aftësi të kufizuara.
Në përgjithësi, numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar jashtë Kosovës ishte 104 mijë e 924, prej të cilëve 20 mijë e 324 ishin regjistruar për votim në përfaqësi diplomatike dhe votuan 15 mijë 352, ndërkaq për votimin përmes postës ishin regjistruar 84,600 shtetas.Duke u mbështetur në të dhënat e KQZ-së, numri i zarfeve me fletëvotimeve nga vendvotimet me kusht është 12 mijë e 801, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit, i cili përfshin krahasimin me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotime të rregullta. Ndërkaq, numri i votave të personave me nevoja të veçanta është 2 mijë e 597 vota.
/Kosovapress/