Karnavalet e Shkodrës, Beci: Biznesi, partner në çdo festë të qytetit

TIRANË, 20 shkurt /ATSH/ Prej datës 17 shkurt në Shkodër ka nisur Festa e Karnavaleve që pritet të vijojë deri më 23 shkurt.
Kryetari i bashkisë së këtij qyteti, Benet Beci ka zhvilluar sot në ambientet e bashkisë një takim me disa përfaqësues të strukturave akomoduese në Shkodër, që pritet të kenë një fluks të shtuar klientësh, për shkak edhe të kësaj ngjarjeje artistike që po zhvillohet qytetin verior të vendit.
Beci thotë se “festa e Karnavaleve rrit edhe përgjegjësinë e strukturave akomoduese të Shkodrës, të cilat me stafet e tyre mirëpresin vizitorët e shumtë këtë fundjavë”.
“Evente të tilla, me përmasa të mëdha, që organizohen në Shkodër, janë një mundësi edhe për biznesin si partner në çdo festë të qytetit. Shkodra ju pret të gjithëve”, thotë Beci, në një postim në rrjetet sociale.
Prej tre ditësh në Shkodër ka nisur Festa e Karnavaleve, ku kostumet shumëngjyrëshe, maskat si dhe atmosfera festive po mbizotërojnë në të gjitha rrugët, sheshet dhe në kalanë e Rozafës. Të rinjtë dhe fëmijët e qytetit kanë shpalosur kreativitetin e tyre.
Paradat e karnavaleve të Shkodrës do të vijojnë deri më 23 shkurt.
Shkodra është qyteti që e ka festuar më herët Karnavalen. Festimet e para i përkasin gjysmës së dytë të shekullit XIX, saktësisht vitit 1860, duke krijuar një traditë solide që vazhdoi deri në vitin 1946, ku për shkak të regjimit komunist, u ndalua së festuari për t’u rikthyer sërish si traditë pas viteve ’90.
Nga takimi i kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci me përfaqësues të strukturave akomoduese të... 1 nga 7/a.f/r.e/