E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë – Seanca për presidentin vazhdon në ditën e fundit të afatit kushtetues

PRISHTINË, 28 prill /ATSH/ Sonte në mesnatë skadon afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.

Ky afat i 28 prillit u vendos pasi ish-presidentja Vjosa Osmani, më 6 mars, nxori dekret për shpërndarjen e Kuvendit.

Kjo ndodhi pas dështimit për të përmbyllur zgjedhjen e presidentit brenda afatit të 5 marsit, për shkak të mungesës së kuorumit.

Gjykata Kushtetuese e rrëzoi këtë dekret, duke e shpallur pa efekt juridik dhe duke i dhënë Kuvendit afat deri më 28 prill për zgjedhjen e presidentit të ri.

Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Pavarësisht disa përpjekjeve të raportuara, partitë nuk arritën të bien dakord për kandidatët që do të garonin për postin e presidentit të shtetit.

A po zhvillohet zgjedhja e presidentit në kundërshtim me Kushtetutën?

Kushtetuta dhe praktika e gjyqësisë kushtetuese përcaktojnë se në seancë duhet të jenë të pranishëm së paku 80 deputetë, në mënyrë që të konsiderohet se janë plotësuar kushtet ligjore për të proceduar me zgjedhjen e presidentit.

Nëse asnjëri prej kandidatëve nuk i merr votat e nevojshme në dy raundet e para, atëherë organizohet raundi i tretë.

Që ky raund të jetë i vlefshëm, në votim duhet të marrin pjesë së paku 80 deputetë, ndërsa kandidati që merr të paktën 60 vota, zgjidhet president.

Në seancën e 27 prillit morën pjesë vetëm deputetët e shumicës parlamentare – më pak se 70 prej tyre.

Çfarë ndodhi në seancën e 27 prillit?

Një seancë për zgjedhjen e presidentit të Kosovës u mbajt të hënën, më 27 prill, me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Për postin e presidentes u propozuan dy kandidate: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.

Në seancë morën pjesë vetëm deputetët e LVV-së dhe të komuniteteve joshumicë, ndërsa opozita nuk ishte e pranishme, duke bërë që të mungonte kuorumi i nevojshëm prej së paku 80 deputetësh në sallë.

Pavarësisht kësaj, rundi i parë i votimit u zhvillua.

Në votim, Feride Rushiti mori 63 vota, Hatixhe Hoxha nuk mori asnjë votë, ndërsa një vote ishte e pavlefshme.

Opozita dhe përfaqësues të shoqërisë civile reaguan pas seancës, duke theksuar se zhvillimi i votimit pa kuorum cenon legjitimitetin e procesit dhe rendin kushtetues të vendit.

/REL/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›