Kurti: Presim opozitën të marrë pjesë në votim për presidentin, po bëjmë përpjekje maksimale

PRISHTINË, 28 prill /ATSH/ Sonte në mesnatë skadon afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës për zgjedhjen e presidentit të ri, teksa seanca e radhës është parashikuar në orë 14:00, sipas njoftimit të bërë më herët nga Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Afati finail i 28 prillit u vendos pasi ish-presidentja Vjosa Osmani, më 6 mars, nxori dekret për shpërndarjen e Kuvendit. Kjo ndodhi pas dështimit për të përmbyllur zgjedhjen e presidentit brenda afatit të 5 marsit, për shkak të mungesës së kuorumit.
Gjykata Kushtetuese e rrëzoi këtë dekret, duke e shpallur pa efekt juridik dhe duke i dhënë Kuvendit afat deri më 28 prill për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Pavarësisht disa përpjekjeve të raportuara, partitë nuk arritën të bien dakord për kandidatët që do të garonin për postin e presidentit të shtetit.
Sot pritet të vijojë seanca e nisur një ditë më parë për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Kryeministri Albin Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje po bën përpjekje maksimale për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Duke hyrë në Kuvend, Kurti u pyet nga gazetarët nëse pritet të zgjidhet presidenti në seancën e sotme.
Ai tha se mbetet të shihet nëse deputetët e opozitës do të marrin pjesë në votim.
“Ne bëjmë përpjekjet maksimale, tash ta shohim a po vijnë deputetët e opozitës që e kanë obligim kushtetues të përfaqësojnë popullin, të marrin pjesë në votim”, u shpreh Kurti.
Në Nenin 22 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës thuhet se “deputeti ka për detyrë dhe obligim që të marrë pjesë në punimet e Kuvendit”.
Vigan Qorolli, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, u tha medieve në Prishtinë se beson se raundi i parë i votimit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës “nuk është shteruar”, pasi në kuti nuk janë hedhur 80 vota.
“Nuk është konstatuar se zgjedhja e presidentes është e vlefshme në këtë rast”, tha Qorolli.
Radio Evropa e Lirë ka pyetur në Lëvizjen Vetëvendosje se si do të procedohet në seancën e sotme, por nuk ka marrë përgjigje.
Në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës është parë duke hyrë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Partia e tij është e përfaqësuar me 6 deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Kushtetuta dhe praktika e gjyqësisë kushtetuese përcaktojnë se në seancë duhet të jenë të pranishëm së paku 80 deputetë, në mënyrë që të konsiderohet se janë plotësuar kushtet ligjore për të proceduar me zgjedhjen e presidentit.
Nëse asnjëri prej kandidatëve nuk i merr votat e nevojshme në dy rundet e para, atëherë organizohet rundi i tretë.
Që ky raund të jetë i vlefshëm, në votim duhet të marrin pjesë së paku 80 deputetë, ndërsa kandidati që merr të paktën 60 vota, zgjidhet president.
Në seancën e 27 prillit morën pjesë vetëm deputetët e shumicës parlamentare – më pak se 70 prej tyre.
Debati për presidentin…
Kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ka deklaruar se ka bërë përpjekje për marrëveshje me partitë opozitare, por pa rezultat.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar të propozojë vetë kandidatin për president, ndërsa është kritikuar nga LVV-ja për mungesë transparence.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), propozoi kandidate Vjosa Osmanin, teksa ka kundërshtuar idenë që një parti – në këtë rast LVV – t’i kontrollojë tre institucionet kryesore të shtetit: Qeverinë, Kuvendin dhe Presidencën.
Kurti ka thënë se i ka ofruar LDK-së pjesëmarrje në Qeveri ose postin e kryeparlamentarit, por oferta është refuzuar. Një ofertë e ngjashme iu bë edhe PDK-së, por lideri i saj, Bedri Hamza, e cilësoi si joserioze, duke thënë se nuk kishte pasur ftesë zyrtare për takim.
Më pas, Kurti u ka kërkuar PDK-së dhe LDK-së të propozojnë tre emra jopartiakë për president, duke ofruar mbështetjen e LVV-së, por opozita e ka refuzuar edhe këtë ide, duke e cilësuar si joserioze dhe të papranueshme.
Në një fjalim para Kuvendit më 27 prill, Kurti tha se përgjegjësia e partive për çështjen e presidentit është në bazë të numrit të votave që kanë marrë.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, LVV-ja ka siguruar mbi 51 për qind të votave dhe 57 deputetë në Kuvend, PDK-ja 20.2 për qind dhe 22 deputetë, ndërsa LDK-ja 13.2 për qind dhe 15 deputetë.
/REL//r.e/