Vijon seanca për zgjedhjen e presidentit në Kuvendin e Kosovës, Kurti sërish apel opozitës për pjesëmarrje

PRISHTINË, 28 prill/ATSH/ Seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës vazhdon sot, në ditën kur skadon edhe afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Kryeministri Kurti tha se ai dhe partia në pushtet, mbrëmë më 27 prill, nuk e kishin pasur të qartë në cilën ditë ishte afati i fundit kur Presidenti duhej të zgjidhej sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Ai tha se ka qenë në vazhdimësi në komunikim me partitë opozitare.
“Problemi ështe që nuk marrim përgjigje”, tha ai.
“Ne nuk e kishim të qartë edhe cili ishte afati i fundit, të them të drejtën. Ne duhej që sa më shpejt të vepronim”, shtoi ai.
Megjithatë, ai tha se rreth orës 21, më 27 prill, i ka shkruar edhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamzës dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, por nuk ka marrë përgjigje.
Më 25 mars, Gjykata Kushtetuese i kishte dhënë Kuvendit të Kosovës afat prej 34 ditësh për të zgjedhur Presidentin. Në të kundërtën, vendi shkon në zgjedhje.
Gjatë konferencës, Kurti u pyet për 15 nënshkrimet e prezantuara një natë më parë nga LDK-ja.
Kreu i LVV-së tha se LDK nuk tregoi se për cilin kandidat të saj për president ishin nënshkrimet, duke shtuar se ato nuk i janë dërguar atij apo shefes së deputetëve të LVV-së, Arbërie Nagavcit.
Ai tha se në letrën e prezantuar nga Lumir Abdixhiku para mediave nuk shkruhej se për çfarë janë mbledhur nënshkrimet, ndonëse paraprakisht LDK-ja kishte thënë se mund të propozonte për presidente ish-kryetaren e shtetit, Vjosa Osmani.
Kurti tha se partia e tij është e gatshme që të shtojë edhe 15 nënshkrimet e nevojshme për aplikim për të propozuarin e LDK-së.
“Ne me mirësinë dhe kënaqësinë më të madhe do t’i pranojmë [nënshkrimet e LDK-së]. Dhe më pastaj, po ta kishim emrin e qartë të LDK-së se për kë bëhet fjalë, unë do të takoja kandidaten Hatixhe Hoxha që të kërkoj të tërhiqej dhe t’i shtojmë edhe 15 të tjerë dhe ta kemi Feride Rushitin dhe një kandidat tjetër. Kështu ka mundur të bëhej”, tha Kurti. /rel/