E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, AAK-ja tërhiqet nga padia për Pacollin

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka hequr dorë nga nisma e saj për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e presidentit në lidhje me pretendimin se ai ka shkelur Kushtetutën duke votuar për zgjedhjen e qeverisë së re më 22 shkurt, pak minuta pasi që kishte dhënë betimin si president i shtetit.

Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, rikonfirmoi pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit se kjo parti nuk ka arritur marrëveshje me pjesën tjetër të opozitës për sigurimin e firmave të nevojshme që padia të dorëzohet në Gjykatën Kushtetuese. Pritjet e AAK-së ishin të drejtuara nga Lidhja Demokratike e Kosovës, por kjo e fundit kishte refuzuar ta mbështeste nismën e AAK-së duke rikujtuar se tashmë për rastin Pacolli ekziston një padi në Gjykatën Kushtetuese.

Gjini nuk ka komentuar arsyet e kundërshtimit nga opozita të iniciativës së tyre, por ka thënë se ato duhet të thonë arsyen pse nuk e kanë mbështetur AAK-në.

LDK-ja, kohë më parë, e mbështetur nga AAK-ja, me 34 firma të deputetëve ka proceduar tashmë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës kërkesën, me anë të së cilës kanë kërkuar interpretimin lidhur me procedurat e zgjedhjes së Pacollit në postin e presidentit.

Por, deri më tani, Gjykata Kushtetuese në Kosovë nuk ka deklaruar të ketë marrë ndonjë vendim.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›