E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë/ Agim Çeku, politikani më popullor

Ish-kryeministri i Kosovës, tashmë lideri i PSD-së, Agim Çeku është politikani më popullor tek shqiptarët e Kosovës, i pasuar nga Albin Kurti, në vendin e dytë, Fatmir Sejdiu, në vendin e tretë dhe Bajram Rexhepi, në vendin e katërt. Këto rezultate janë bërë të ditura nga një sondazh i "Index Kosova", dhe i publikuar nga e përditshmja kosovare "Koha Ditore". Sondazhi i kryer në fillim të muajit maj të këtij viti, tregon se as kryeministri Hashim Thaçi e as kryeparlamentari Jakup Krasniqi nuk ndodhen në listën e personazheve politike më popullore, por as liderët e opozitës Ramush Haradinaj, Behxhet Pacolli e Nexhat Daci, sikurse mungojnë edhe ministrat e dalluar Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj e Skënder Hyseni. Sipas kësaj të përditshmeje, hulumtimi që është kryer me një mijë rezidentë shqiptarë dhe 624 serbë, gjen tek serbët e Kosovës më popullorin, peshkopin Artemije, ish-kryeministrin serb Koshtunica dhe liderin nacionalist, Tomisllav Nikolliç. Institucionet më popullore në mesin e shqiptarëve kanë rezultuar KFOR-i, Policia e Kosovës dhe FSK-ja, ndërsa tek serbët i ashtuquajturi Kuvendi serb i Kosovës dhe kuvendet lokale të komunave.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›