Kosovë, Ban Ki Moon: Zgjidhja, përmes veprimeve të njëanshme
Sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban-Ki-Moon edhe një herë ka përsëritur shqetësimin e tij dhe të misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, për situatën në veri.
Në raportin paraprak për punën tremujore të UNMIK-it ,që Ban Ki-Moon ua ka dorëzuar shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit, theksohet se situata në atë pjesë të Kosovës është e ndjeshme dhe se të gjitha problemet duhet të tejkalohen me mjete paqësore.
“Në veri të Kosovës rritja e tensioneve mbetet shkak për shqetësim. Në këtë drejtim do të vazhdoj që të shpreh qëndrimin e vendosur se çështjet e ndjeshme që kanë të bëjnë me veriun e Kosovës mund të zgjidhen vetëm me mjete paqësore, në bazë të konsultimeve me të gjitha komunitetet në terren dhe jo përmes veprimeve të njëanshme. U bëj thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga veprimet, të cilat mund të pengojnë progresin e arritur në dialog dhe që nxisin tensione, sikurse edhe për të punuar bashkë për të mos lejuar përkeqësimin e mëtutjeshëm të situatës”, thuhet në raportin e Ban Ki-Moonit.
Raporti përfshin aktivitetet e UNMIK-ut dhe zhvillimet në Kosovë në periudhën prej 16 prillit deri më 15 korrik. Në këtë raport nuk janë përfshirë zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me pikat kufitare 1 dhe 31, në Jarinje dhe Bërnjak, edhe pse kjo çështje ka qenë temë e konsultimeve në njërën prej takimeve të mbyllura të KS.