Kosovë, serbët heqin në veri gjendjen e jashtëzakonshme

I ashtëquajturi Shtabi Serb i Krizës në Veri të Kosovës ka shfuqizuar gjendjen e jashtëzakonshme, të cilën e ka shpallur më 26 korrik, pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës për të marrë nën kontroll dy pikat kufitare në veri të vendit.
Një vendim të tillë e ka marrë, i ashtëquajturi kryetar i Qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq, katër të ashtuquajturit kryetarë të komunave në veri Slavisha Ristiq (Zubin- Potok), Branko Niniç (Leposaviq), Kërstimir Pantiq (Mitrovica veriore) dhe Dragisha Miloviç (Zveçan).
Shtabi i Krizave në Veri pas shqyrtimit të situatës së përgjithshme të sigurisë ka vlerësuar se situata në atë pjesë të vendit është e qetë.
Këto struktura që nga data 26 korrik patën shpallur gjendje të jashtëzakonshme në veri, duke apeluar tek të gjithë serbët që janë të aftë të përgjigjen në rast të çdo nevoje.
Ministri i punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka vlerësuar se zyrtarët e lartpërmendur nuk kanë pasur të drejtë të marrin vendime të tilla.
“Ata nuk kanë të drejtë të shpallin gjendje të jashtëzakonshme sepse atë mund ta shpallë vetëm presidenti i Kosovë dhe jo ata”, ka thënë ministri Rexhepi.