E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, Bogdanoviç paralajmëron rikthimin e barrikadave

Ministri për Kosovën pranë Qeverisë së Serbisë, Goran Bogdanoviç, ka ftuar sot serbët e veriut në unitet, sepse siç u shpreh ai, po vijnë ditë të vështira dhe prova të mëdha për ta.
 

Sipas tij, Prishtina po kërcënon seriozisht me dërgimin e doganierëve në pikat kufitare dhe marrjen e këtyre pikave nën kontroll të saj, ndaj uniteti i popullatës serbe të Kosovës në këto momente është i nevojshëm si kurrë më parë. Ai theksoi se disa nga përfaqësuesit e partive opozitare për arsye politike ditëve të fundit janë duke rrënuar këtë unitet të popullatës, dhe në momentet më të vështira po sulmojnë shtetin.
 

“Është i papranueshëm fakti se në këto momente ka njerëz të cilët mendojnë `sa më keq, aq më mirë` dhe të cilët tentojnë të keqpërdorin pozitën e vështirë të serbëve në Kosovë”, ka thënë Bogdanoviç. Po ashtu, ai ka porositur se serbët do të mbrojnë interesat e tyre në Kosovë në mënyrë të qetë dhe të dinjitetshme, por nuk përjashtoi mundësinë e rikthimit të barrikadave në rast se Prishtina tenton, siç tha ai dhunshëm, dërgimin e doganierëve në pikat kufitare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›