Thaçi: Marrëveshja për vulat doganore, zbatohet në 16 shtator

“Kosova është e vendosur që të fillojë zbatimin e marrëveshjes për vulat e doganave që nga data 16 shtator”, ka deklaruar kryeministri Hashim Thaçi. Ai paralajmëroi ri-funksionalizimin e pikës doganore 31 në veri, kurse për pikën 1 tha se nevojitet fillimisht rregullimi i infrastrukturës për shkak të dëmtimit të saj. Por, Thaçi tha se ri-hapja e pikave doganore nuk nënkupton kthimin në gjendjen e para 25 korrikut.
“Qeveria e Kosovës e ka agjendën e vet. Agjendë kjo që është në drejtim të forcimit të shtetit, ndaljes së plotë të kontrabandës. Gjithashtu e theksoj për vendosjen e kontrollit të plotë të kufirit shtetëror në mes Kosovës dhe Serbisë. Doganierët e Kosovës do të jenë edhe në pikat 1 dhe 31 dhe do të jenë udhëheqës të doganës. Gjithashtu edhe policia e Kosovës dhe do të emërohen nga organet kompetente”, ka deklaruar Thaçi.
Media kosovare raporton se kryeministri Thaçi, po ashtu ka komentuar edhe deklaratat e zyrtarëve të lartë të BE-së, të cilët bënë thirrje që Qeveria e Kosovës të përmbahet dhe të mos i përsërisë në të ardhmen aksionet policore siç ishte ai i datës 25 korrik. Thaçi tha se për aksione të tilla më nuk ka nevojë, pasi që sipas tij, tani për këtë pjesë të Kosovës do të vendosen masa të reja të sundimit të rendit dhe ligjit.
“Edhe Brukseli dhe Uashingtoni pajtohen që të mos ketë rikthim të gjendjes së para 25 korrikut kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për vendosjen nën kontroll ët pikave kufitare 1 dhe 31. Pra për ruajtjen e integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe forcimit të sovranitetit të saj. Tash kërkohen vendime të reja që e konsolidojnë realitetin demokratik atje. Qeveria e Kosovës nuk është në konflikt me qytetarin në veri. Është në konflikt me ata që e kanë shkelur rendin dhe ligjin, të cilët do të përballen me drejtësinë”, është shprehur Thaçi.
Me marrëveshjen mes Prishtinës dhe Beogradit, për njohjen e vulës së Doganave të Kosovës nga Serbia, Kosova tani përfundimisht paralajmëron edhe fundin e masave të reciprocitetit, me çka mund të vazhdojë bashkëpunimi tregtar ndërmjet dyja vendeve. Qëndrimet e palës serbe janë që marrëveshja për vulat të kthejë gjendjen para datës 25 korrik dhe jo të vë në funksion aplikimin e taksave doganore për mallrat që nga Serbia futen në Kosovë.