E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga: Kosova të jetë pjesë e Partneritetit të NATO-s

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga zhvilloi një takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Anders Fog Rasmusen. Në këtë takim, presidentja Jahjaga theksoi se pavarësisht faktit se Kosovën, ende nuk e kanë njohur katër vende të NATO-s, duhet të gjendet modaliteti që Kosova të marrë pjesë në Partneritetin për Paqe të këtij mekanizmi.

Ndër të tjera, Jahjaga theksoi se institucionet e vendit janë të përkushtuara për të normalizuar gjendjen në veri të Kosovës, ndërsa e vlerësoi arritjen e marrëveshjes të ndërmjetësuar nga KFOR-i në këtë kuadër.
 

Nga ana e tij, Rasmussen theksoi se forca paqeruajtëse e NATO-s vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në Kosovë. Ai shprehu shqetësimin e misionit me situatën e krijuar në veriun e Kosovës.
 

Sekretari i NATO-s tha se është me rëndësi gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme, ndërsa hodhi poshtë idenë e ndarjes së vendit. Rasmusen e quajti të rëndësishëm e të dobishëm dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Prishtinës e Beogradit.
Duke folur për Forcën e Sigurisë së Kosovës, ai tha se NATO do të vazhdojë që të ndihmojë atë në ngritjen e kapaciteteve dhe do ta përcjellë me kujdes të ardhmen e kësaj force.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›