Kosovë, EULEX-i heton vrasjen e policit Enver Zymberi

EULEX-i ka nisur me hetimet për ngjarjet e fundit në veri. Sipas gazetës Zëri, tashmë Prokuroria e EULEX-it, e qarkut të Mitrovicës ka nisur hetimet për vrasjen e pjesëtarit të ROSU-së, Enver Zymberi, në Zupçë, si dhe shkatërrimin e pikës kufitare, Porta 1 në afërsi të Leposaviçit.
Sipas gazetës që citon burime brenda policisë, ka mundësi të angazhohet edhe KFOR-i për të marrë në pyetje ata që dyshohen se janë të implikuar në vrasjen e Enver Zymberit apo që i vunë flakën kufirit.
“Fillimisht po punohet në identifikimin e atyre që sulmuan kolonën e ROSU-së dhe FIT (Njësia për intervenim të shpejtë) teksa ata shkonin për të marrë nën kontroll Portën 31, apo Bërnjak ku dhe u vra Enver Zymber. Gjithashtu po punohet edhe në identifikimin e personave që i vunë flakën Portës 1, kufirit me Serbinë”, tha një zyrtar i Policisë së Kosovës. Edhe EULEX-i ka konfirmuar nisjen e hetimeve.