E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, Etiopia e Togoja pritet të konfirmojnë njohjen

Etiopia dhe Togoja shumë shpejt do t`i publikojnë njohjet për Kosovën. Burime per mediat kosovare thonë se ato pritet vetëm t`i dërgojnë notat verbale në Prishtinë.
 

Zyra e Zëvendëskryeministrit të Parë, Behxhet Pacolli dhe Ministria e Jashtme kanë vendosur të mos përmendin emrat e shteteve që pritet ta njohin Kosovën pa mbërritur notat verbale në Prishtinë. Kështu po ndodh edhe me njohjet e paralajmëruara nga Pacolli dhe Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj.
 

Burime të Expressit kanë thënë se tashmë Kosovën e kanë njohur Republika e Togos dhe ajo e Etiopisë, derisa procedurat rreth ardhjes së notave verbale ende nuk kanë përfunduar.Republika e Togos ndodhet në Afrikën Perëndimore dhe kufizohet me tri shtetet që e kanë njohur Kosovën - Ganën në perëndim, Beninin në lindje dhe Burkina Fason në veri.
 

“Këto dy shtete afrikane e kanë formalizuar njohjen për Kosovën. Nuk do të vonohen as notat verbale që do të vijnë nga Togoja e Etiopia”, kane thene burime per mediat vendase.
 

Edhe Republika Demokratike e Etiopisë ndodhet në Afrikë dhe është vendi i dytë në këtë kontinent për nga numri i banorëve, me më shumë se 84 milionë.
 

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj pati paralajmëruar se gjatë muajit të kaluar do të vijnë tri deri në katër njohje, ndërsa Zëvendëskryeministri Pacolli në një mbledhje të Qeverisë tregoi një letër në të cilën ishin të shkruara shtete që do të njohin Kosovën.
As Ministri i Jashtëm dhe as Zëvendëskryeministri i Parë nuk kanë dhënë emra të shteteve që kanë lëvizur drejt formalizmit të njohjeve.
 

Njohjet nga Togoja e Etiopia pritet të rrisin numrin e vendeve që e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës në 93, ndonëse ende mungojnë njohjet formale nga Nigeria dhe Uganda. Këto dy shtet figurojnë në listën e shteteve që e kanë njohur Republikën e Kosovës, Republika e Nigerit më 16 gusht 2011, ndërsa Republika e Ugandës, më 17 shkurt 2012.
 

Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme kanë thënë se Zëvendëskryeministri Pacolli ka marrë disa shkresa nga presidentët e të dyja vendeve që ato e njohin subjektivitetin dhe shtetësinë e Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›