Me PS-në e Vlorës nis largimi i Edi Ramës

Përplasja vlonjate me Edi Ramën dhe selinë e Tiranës nuk është një zhvillim i thjeshtë. Prej andej po fillon një lëvizje e mospranimit të autoritetit të kryetarit, i cili s’po respekton asnjë sensibilitet e as histori lokale të PS-së. Largimi i Eltar Dedës është një goditje për ndikimin politik të Shpëtim Gjikës, prandaj kapërcimi i kësaj vije të kuqe s’fshihet dot me lëvizje kineze si ajo e shpërndarjes së teserave të partisë. Dega e Vlorës ka një peshë specifike për PS-në, prandaj edhe përdhosja që po konsumohet atje, po shërben si fillimi i largimit të Edvinit nga një parti që s’pranon të privatizohet. S’është çudi që ky ndryshim të ndodhë edhe para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare
Revolta e anëtarësisë së PS-së së Vlorës e nisur tri javë më parë në qytetin bregdetar ka mbërritur në Tiranë. Këtë herë përplasja vlonjate nuk është as me Fatmir Xhafajn apo Valentina Leskajn, as me Blendi Klosin apo Mezan Malajn, por as me Arben Isarjan apo Fatmir Toçin..., “delegatët e komanduar” të Vlorës.
Përplasja vlonjate këtë herë është me Edi Ramën dhe selinë e Tiranës.
Kjo përplasje nuk është një zhvillim i thjeshtë.
Ajo është sipari i një lëvizje të mospranimit të autoritetit të kryetarit, i cili nga ana e tij nuk pranon asnjë sensibilitet lokal e as histori lokale të PS-së.
Dorëheqja e Eltar Dedës nga kreu i PS-së së Vlorës, nuk është thjesht dhe vetëm largimi i një emri, sikurse bie fjala largimi në Tiranë i Besnik Barajt.
Me Vlorën gjërat ndryshojnë, sepse ndërsa bie fjala, dorëheqja në Tiranë e Besnik Barajt, lidhej me humbjen e bashkisë së Tiranës nga Edi Rama, dorëheqja e Eltar Dedës, për më tepër dhe heqja e mundësisë për rikandidimin e tij, vjen pas fitores së bashkisë së Vlorës nga një kandidat i PS-së.
Pikërisht kjo e bën dallimin e Vlorës me Tiranën.
Largimi i Eltar Dedës është sikur të thuash që, “me një gur të vrasësh dy zogj”. Dhe ky largim, po aq sa është një goditje për Eltar Dedën, po aq, ndoshta edhe më shumë, është edhe një goditje për ndikimin politik të Shpëtim Gjikës, kryebashkiakut socialist të Vlorës.
Tendenca e mbërritjes së revoltës socialiste të Vlorës ka filluar marshimin pas largimit të Eltar Dedës. Tri “dërgatat” e Edi Ramës “dy e nga dy”, për tri pjesët në të cilat u zhvillua në tre javë Asambleja e socialistëve të Vlorës, nuk mundën ta frenonin këtë tendencë. Këtë tendencë, apo edhe kapërcimin e kësaj vije të kuqe, Edi Rama nuk mund ta fshehë me lëvizje kineze si ajo e shpërndarjes së teserave të partisë, në Durrës a në Lushnje, apo me radikalizim të linjës politike, sikurse pretendimi për reformën zgjedhore, pretendim që nuk arrin të gënjejë më, jo Skënder Gjinushin, Paskal Milon e Petro Koçin, por as Ervin Meten, pse jo edhe Kurt Kolën....
Në pehlivanllëqet e tij Edi Rama nuk arrin të bëjë dallimet e “ambienteve”, “karaktereve”, “kohën”, kur atij i duhet të veprojë.
Treguesi më i mirë është që ai harron, se dega e PS-së së Tiranës, mund të jetë më e madhja, por nuk është si ajo e Vlorës, ku ai mund të bëjë rokadën e Besnik Barajt me Sajmir Tahirin me “bekimin” e Maqo Lakrorit, Ilir Zela.
Dega e PS-së së Vlorës është, jo pak, por shumë ndryshe nga ajo e Tiranës.
Dega e PS-së së Vlorës ka një peshë specifike për PS-në, ndaj edhe nuk mund të pranojnë autoritetin e kryetarit, për deri sa ai (kryetari) nuk pranon asnjë sensibilitet lokal e as histori lokale të kësaj dege të PS-së.
Dega e Vlorës, për peshën specifike që ka për PS-në, nuk mund të lejojë e pranojë përdhosjen e saj, përdhosje e cila po konsumohet nga njerëzit e Edi Ramës në qendër. Dhe kjo përdhosje “e deleguar” e Edi Ramës për degën e PS-së së Vlorës, do të jetë edhe fillimi i largimit të Edi Ramës nga një parti që s’pranon të privatizohet...
S’është çudi që ky ndryshim të ndodhë edhe para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.