Kosovë, Jahjaga përshëndet marrëveshjen me FMN-në

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka mirëpritur vendimin e Bordit Ekzekutiv të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për aprovimin e Marrëveshjes së re Stand-By me Kosovën.
Presidentja Jahjaga vlerëson se arritja e kësaj marrëveshje është një hap pozitiv për Kosovën, që përkundër vështirësive, si rrjedhojë e krizës globale financiare e ekonomike, Republika e Kosovës ka arritur ta ruajë stabilitetin makrofinanciar.
Në këtë kontekst Jahjaga vlerëson gjithashtu se është i nevojshëm një angazhim i shtuar i institucioneve, jo vetëm për të ruajtur stabilitetin financiar, por edhe për të avancuar reformat e nevojshme ekonomike që kanë për qëllim përmirësimin e klimës së biznesit, hapjen e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e infrastrukturës publike si parakushte për rritjen ekonomike në vend.
Dy ditë më Parë Fondi Monetar Ndërkombëtar miratoi një kredi prej 106.6 milionë euro për Kosovën, pas shkurtimit të financimit vitin e kaluar, pas një mosmarrëveshje në lidhje me rritjen e pagave të nëpunësve civilë.
Marrëveshja e re 20 mujore, Stand- By do të mbështesë një program për të lehtësuar presionet fiskale të vendit.Programi i ri vjen një vit pasi qeveria kosovare në mënyrë të njëansme rriti pagat në sektorin publik, duke shkaktuar kundërshtimin e FMN-së që çoi në shkurtimin e programit 109 milionë euro të korrikut të vitit 2012, pasi ishin shpërndarë vetëm 22 milionë nga ajo shumë.