Zgjedhjet në Greqi, mblidhen në kampe emigrantët ilegalë

Më shumë se 50 emigrantë të paligjshëm ishin të parët që u transferuan të dielën në një kamp refugjatësh, në kuadër të një plani masash të ndërmarë nga qeveria për të grumbulluar apo mbledhur në një vend, dhjetëra mijëra emigrante pa dokumenta dhe ti vendosë ata në një qendër të përbashkët, përpara zgjedhjeve kombëtare.
Qeveria deklaroi gjatë këtij muaji se do të ndërtojë rreth 30 qendra për të strehuar rreth njëmijë emigrant të paligjshëm dhe më pas, secili do të deportohet nëse nuk klasifikohet si azilkërkues. Keshtu, Greqia ka nisur operacionin për të grupuar emigrantët e paligjshëm. Pas aksioneve të njëpasnjëshme në qytetet kryesore të vendit dhe ndalimit të shumë emigrantëve të paligjshëm, pakistanezë, afganë dhe kurdë, 56 refugjatët e parë u strehuan të dielën në kampin e ri të ngritur në Amigdaleza.
U raportua nga autoritetet se deri në orët e vona të së hënës, në këtë kamp pritet të transferohen 200 emigrantë, të arrestuar gjatë operacioneve më të fundit në qytete, por edhe në kufirin greko-turk. Kampi ka një kapacitet prej 1 mijë personash dhe do të shërbejë si qendër për rikthimin e klandestinëve në vendet e tyre të origjinës.
Hapja e kampit të Amigdalezës ka shkaktuar reagimin e ashpër të banorëve të zonës, të cilët kanë kundërshtuar ngritjen e kësaj qendre. Nisma është kundërshtuar edhe nga ministra të qeverisë Papadimos, por edhe nga Avokati i Popullit. Qendra e mbajtjes dhe rikthimit të emigrantëve ka parametra të lartë sigurie dhe të gjithë emigrantët do t`i nënshtrohen analizave mjekësore.