E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, KQZ: Procesi i rivotimit i qetë dhe pa probleme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deklaron se procesi i rivotimit në komunën e Mitrovicës ishte jashtëzakonisht i qetë dhe pa probleme, përfshirë edhe pjesën veriore të qytetit.
Rivotimet në Mitrovicë u zhvilluan pas evidentimit të parregullsive në raundin e parë më 12 dhjetor 2010. Gjatë ditës së dielë votuesit potencialë patën mundësi të hedhin votën e tyre në kutitë e vendosura në 31 qendra të votimit me 104 vendvotime. Kutitë e votimit u mbyllën, ashtu siç ishte parashikuar, në orën 19:00. KQZ thotë se në votime kanë marrë pjesë 23,238 votues apo 26.76% e numrit total të personave me të drejtë vote.

"Mendoj se ky proces ka qenë jashtëzakonisht i mirë dhe pa incidente, duke pasur parasysh se kemi pasur edhe pjesën veriore dhe nuk ka pasur incidente. Në përgjithësi, ka qenë një proces i rregullt", shpjegon kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

Ajo tha se në krahasim me raundin e parë që u mbajt më 12 dhjetor, ku patën votuar 37.10% e mitrovicasve, është shënuar një rënie në pjesëmarrje. Por, partitë politike që garuan në rivotimin në Mitrovicë kanë shprehur shqetësimin e tyre për ecurinë e procesit zgjedhor.

Lidhja Demokratike e Kosovës tha se gjatë procesit zgjedhor është vërejtur manipulimi me fletëvotimet. Ndërkaq, Lëvizja “Vetëvendosje” bëri të ditur se gjatë procesit zgjedhor në Mitrovicë, vëzhguesit e saj janë kërcënuar nga ata të Partisë Demokratike të Kosovës.

Mësohet se Policia e Kosovës është dashur të ndërhyjë për të verifikuar ankesën për kërcënim nga Lëvizja “Vetëvendosje”, e cila thuhet se ka rezultuar e paqëndrueshme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›