Kosovë, Krasniqi kërkon unitet për veriun

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi u ka bërë thirrje përfaqësuesve të institucioneve shtetërore dhe partive politike të jenë të bashkuar për veriun.
Në një intervistë për mediat kosovare, kryeparlamentari Krasniqi ka deklaruar se me vendosmëri më të madhe të institucioneve të Kosovës dhe gatishmëri të qytetarëve serbë në veri do të kthehet normaliteti.
Duke iu referuar idesë për administrim ndërkombëtar të veriut, Krasniqi ka thënë se një ide e tillë është shumë e rrezikshme edhe pse, sipas tij, veriu deri më tani është qeverisur nga UNMIK-u dhe EULEX-i.
Ai ka vlerësuar se çfarëdo ideje e cila nuk debatohet në forume politike dhe institucionale është e dështuar. “Idetë që nuk debatohen në forume politike apo institucionale të shtetit gjithnjë do të jenë të dështuara dhe me pasoja të paparashikueshme për vendin. Për t`i ikur ngjarjeve të paparashikueshme e për t`u zhvilluar ngjarje të planifikuara të interesit kombëtar duhet institucionalizuar debatin në partitë politike e pastaj edhe në nivelin institucional”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se çështja e veriut duhet të zgjidhet brenda Kushtetutës dhe Pakos së Ahtisaarit.
Kryeparlamentari ka folur edhe për çështjen e dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Ai ka insistuar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ketë vetëm për çështje teknike.
“Dialog, sigurisht se duhet të ketë, por dialog politik për çështje të brendshme të cilat rregullohen me Kushtetutë, ligje, me marrëveshje ndërkombëtare nuk duhet të ketë”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka thënë se dialogu me Serbinë nuk është çështje individuale e askujt, por është çështje e vendimmarrjes në partitë politike, e që më pas duhet të institucionalizohet në Kuvendin e Kosovës.
Kryeparlamentari Krasniqi ka treguar se ndërkombëtarët deri më tani nuk kanë insistuar për një dialog të mundshëm politik.
“Ndërkombëtarët mund të insistojnë dhe kanë të drejtë të insistojnë, por vendimmarrja është përgjegjësi e jona”, është shprehur Krasniqi, duke thënë se Kuvendi është duke luajtur rolin e tij kushtetues krahas zhvillimeve politike në vend.