E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dialogu për liberalizimin e vizave për Kosovën nis në dhjetor

Komisioni Evropian ka vlerësuar se shteti i Kosovës i ka plotësuar substancialisht kushtet e nevojshme që të fillojë dialogu për liberalizimin e vizave. Si rezultat, dialogu për liberalizimin e vizave për Republikën e Kosovës pritet të fillojë nga mesi i muajit dhjetor, nga 13 deri më 17 dhjetor.

Lajmin e ka bërë me dije për “Epokën e re” një burim ndërkombëtar.

“Si rezultat i plotësimit të kushteve, siç janë miratimi i ligjeve nga Ministria e Drejtësisë, kryerja e detyrave të tjera nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), Ministria e Integrimit Evropian (MIE) dhe ministritë e tjera nga mesi i muajit dhjetor (nga 13 deri më 17 dhjetor), kur do të mbahet takimi i Këshillit të Ministrave të BE-së, komisioneria Cecilia Malmstrom do ta propozojë fillimin e dialogut për liberalizim të vizave për Kosovën, propozim ky që pritet ta marrë mbështetjen e ministrave”, ka thënë i njëjti burim.

Për fillimin e dialogut për liberalizim të vizave brenda këtij viti optimistë janë shprehur edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi dhe ministrja e Integrimit Evropian (MIE), Vlora Çitaku. Ata kanë thënë se institucionet e vendit i kanë plotësuar të gjitha kriteret dhe si rezultat i kësaj presin të fillojë sa më shpejt dialogu për liberalizim të vizave.


Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›