Kosovë, Kuçi kundërshton idenë e ndarjes

Serbia duhet të ketë kujdes me temat që kërkon të hapë në raport me Kosovën. Ky është parlajmërimi i Qeverisë së Kosovës për zyrtarët e Serbisë të cilët pothuajse çdo ditë po flasin për idenë e ndarjes së Kosovës.
Madje, nëse Serbia vazhdon në këtë mënyrë zëvëndëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se edhe Kosova do të hapë tema siç është ajo për genocid.
"Republika e Kosovës ka një territor unik dhe të pandashëm që është i garantuar me Kushtetutë dhe me akte ndërkombëtare. Serbia duhet të jetë e kujdesshme në hapjen e temave. Nëse do të shkojë me këtë temë, atëherë Kosova do të hapë tema që Serbia nuk do të donte dhe që do të bënin me turp gjeneratat e ardhshme serbe", u shpreh Kuçi.
Ndërkohë çështja e Veriut të Kosovës, ku Prishtina zyrtare nuk e ka të shtrirë autoritetin e që është nën kontrollin e strukturave paralele të Serbisë, ka zgjuar gjatë së shtunës reagimin e subjektit të tretë politik, Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas Vetëvendosjes Qeveria po dështon të kthejë nën autoritetin e saj pjesën veriore, edhe pse më parë ka miratuar një strategji që do të merrej ekskluzivisht me këtë çështje.