Kosovë, Kushtetuesja hedh poshtë privilegjet e deputetëve

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim në favor të kërkesës së Avokatit të Popullit, i cili ka kërkuar anulimin e nenit 14, paragrafi 1.6, si dhe të neneve 22, 24, 25 dhe 27 të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit.
Avokati i Popullit pretendonte se Ligji për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit përmban dispozita që "u mundësojnë deputetëve të Kuvendit të Kosovës të realizojnë pensione që janë më të favorshme se çdo përfitim tjetër pensional për qytetarët e tjerë, dhe se ato dispozita nuk janë në përputhje me parimet kushtetuese të barazisë, sundimit të ligjit, mos diskriminimit dhe drejtësisë sociale".
Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se pasi janë analizuar ligjet, rregulloret dhe dispozitat kushtetuese vendore në fuqi, legjislacionet në praktikat botërore dhe vendimet e gjykatave kushtetuese të vendeve të tjera në lidhje me çështjet të ngjashme, është arritur në përfundim se kërkesa e Avokatit të Popullit është e pranueshme dhe se disa nga privilegjet e deputetëve shkelin dispozitat kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese për këtë arsye konkludon se:
Neni 14, paragrafi 1.6, neni 22, neni 24, neni 25 dhe neni 27 i Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit Nr. 03/L-111, i 4 qershorit 2010, nuk janë në pajtim me nenet 3.2, 7 dhe 74 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
Konsideron që neni 14, paragrafi 1.6, neni 22, neni 24, neni 25 dhe neni 27 i Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit Nr. 03/L-111, i 4 qershorit 2010, janë të pavlefshme dhe pa fuqi ligjore;
Konsideron që dispozitat e Urdhrit të përkohshëm të Gjykatës, të 18 tetorit 2011, me të cilin pezullohet zbatimi i nenit 14, paragrafit 1.6, nenit 22, nenit 24, nenit 25 dhe nenit 27 të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit Nr. 03/L-111, të 4 qershorit 2010, dhe më së voni i vazhduar më 20 tetor 2011, bëhet Urdhër i përhershëm i Gjykatës;
Urdhëron që ky Aktgjykim t`u dërgohet palëve dhe, në pajtim me nenin 20-4 të Ligjit, të publikohet në Gazetën zyrtare;
Deklaron që ky Aktgjykim hyn në fuqi menjëherë.