E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, Kuvendi refuzon peticionin e Vetëvendosjes

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka refuzuar të thërrasë mbledhje të jashtëzakonshme të Parlamentit, të kërkuar me peticionin e Vetëvendosjes, me 15 mijë nënshkrime qytetarësh. Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi ka thënë se këtë të drejtë e kanë vetëm presidentja, kryeministri si dhe kërkesa me nënshkrimin e 40 deputetëve.

Ai në deklaratën pas mbledhjes megjithatë ka lënë të kuptohet se është i pakënaqur me fusnotën. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se legjislativi nuk ka asnjë dokument të marrëveshjes për përfaqësim rajonal dhe interpretimin e saj ka të drejtë ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Krasniqi ka theksuar se sipas Kushtetutës së Kosovës seanca të jashtëzakonshme i  thërret: presidenti, kryeministri ose 40 deputetë. Ndërkaq, ai ka shtuar se 10 mijë nënshkrime të qytetarëve vlejnë për nisma legjislative, por jo për seancë të Kuvendit.

Përfaqësuesi i Grupit Parlamentar  të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka ngritur nevojën e mbajtjes së një seance të Kuvendit për të debatuar për marrëveshjen  lidhur me emërtimin e Kosovës me fusnotë në nismat rajonale. Në kërkesën gojore, për mungesë të nënshkrimeve të nevojshme të deputetëve, ai ka  pohuar se kjo lëvizje ka mbledhur mbi 15 mijë nënshkrime të qytetarëve për thirrjen e kësaj seance. /F.S/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›