E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Askush nga deputetët nuk shkon tek Topi

27/02/2012  Maxhoranca shprehet se deklaratat për largime të tjera pas Oketës janë spekulime

Partisë së Topit pritet t’i bashkohen dhe biznesmenë nga Durrësi, Shijaku dhe Tirana

Megjithëse deklarata e deputetit Oketa ka shkaktuar një lloj pështjellimi në radhët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, sërish burime pranë grupit parlamentar të mazhorancës thanë dje për “Metropol” se ideja e largimit të figurave të tjera është një spekulim mediatik. Të njëjtat burime saktësuan se askush nga deputetët e këtij grupi parlamentar nuk ka shfaqur interes që t’i bashkëngjitet partisë së Presidentit Topi, por rreth tij janë mbledhur vetëm figurat që janë larguar me kohë nga ky grup parlamentar.

Biznesmenët

Në radhët e partisë së Presidentit pritet që veç figurave të njohura të kësaj partie të bëjnë pjesë dhe biznesmenë, siç është rasti i ish-deputetit Sami Gjergji, por dhe të tjerë nga zona e Shijakut, Durrësit, por dhe Tiranës, me të cilët Presidenti ka lidhje të hershme. Të njëjtat burime saktësojnë se pas deklaratës së Oketës Presidenti ka vijuar kontaktet me ata që do të bëhen pjesë e partisë së tij dhe që mendohet se mund të thithin elektorat. Kështu, sipas informacioneve, javën e shkuar Presidenti ka organizuar dhe një takim në një nga lokalet në periferi të kryeqytetit, pikërisht me eksponentët që mendohen të jenë pjesë e formacionit të tij politik.

Ishët në Parti

Ndërkohë mësohet se një pjesë e mirë e atyre që e mbështetën dikur për president do të jenë tashmë në llogoren politike të Presidentit. Veç Biberajt, Shehut apo së fundi dhe Oketës, në listë pritet të jenë dhe Rexhep Uka apo Mehmet Hoxha, të lënë jashtë kandidimit në zgjedhjet e kaluara. Nga ana tjetër, pritet që në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së të diskutohet dhe çështja e largimit të Oketës, si dhe pritshmëritë që mund të sjellë kjo forcë e politike në skenën e djathtë. Nga ana tjetër, demokratët shprehen se prej ditësh kupola blu ka dhënë direktiva që të punohet dhe me të zhgënjyerit, me qëllim që të reduktohen sa më shumë të jetë e mundur dëmet që mund t’i vijnë nga partia presidenciale.

Pikat e sulmit

Por duket se Presidenti do të sulmohet fort në disa pika të tij pas krijimit të partisë. E para ka të bëjë me bashkëpunimin me Ramën, ku do të risillet dhe një herë në vëmendjen e publikut vota që ai dha në favor të Edi Ramës në zgjedhjet lokale. Pika e dytë do të ketë të bëjë me të përndjekurit, ku sulmet do të fokusohen kryesisht te dekorimet që ka bërë Presidenti, sidomos atë të një ish-hetuesi të diktaturës, që u konsiderua si gafë politike.

Deklarata e Oketës

Deputeti i Partisë Demokratike Gazmend Oketa do të deklaronte largimin e tij nga Partia Demokratike. “De facto unë jam tërhequr nga grupi i PD-së duke mos marrë pjesë, de jure do të tërhiqem. Do të thotë që nuk do të jem më pjesë e grupit parlamentar. Sigurisht që unë e di se për se kam ardhur deputet në Kuvend. Jam zgjedhur në një zonë elektorale në Durrës. U jam mirënjohës qytetarëve shqiptarë, strukturave të PD-së, që më kanë mbështetur, siç edhe ata më janë mirënjohës për kontributin tim që nga ditët e para të themelimit të partisë e deri sot. Në respekt të qytetarëve që më kanë votuar, në asnjë rast vota ime nuk do të cenojë qeverinë aktuale.”

Fatos Hoxha

Deputeti Fatos Hoxha do të shprehej ashpër në medie për partinë e Topit. “Ata janë njerëz të dështuar, që kurrë në jetën e tyre nuk i kanë thënë një herë të vetme punës ‘mirëmëngjesi’. Ata nuk kanë bërë asnjë lloj pune dhe gjithçka që pretendojnë se e kanë arritur e kanë pasur dhuratë nga zoti Sali Berisha. Ata veçse janë katapultuar në karriget që kanë mbajtur, pa pasur asnjë meritë të tyren.”

Dashnor Sula

Edhe Dashnor Sula, një nga përkrahësit e Presidentit në vitin 2007 për president, është shprehur ashpër ndaj Oketës. Sipas tij, deputeti i larguar është një qejfmbetur dhe ka ikur për arsye personale. Dashnor Sula në deklaratën e tij thotë se Oketa ka qenë sponsorizuar nga Topi për të arritur majat e piramidës qeverisë dhe tashmë që i humbi ato u largua nga kjo forcë politike.

Mbledhja e grupit

Sot mblidhet grupi parlamentar i Partisë Demokratike dhe priten diskutime nga ana e deputetëve në lidhje me ikjen e Oketës. Në fakt, prej kohësh deputeti i Durrësit nuk ka qenë pjesë e mbledhjeve të grupit, megjithëse ka qenë korrekt në votën e tij në shumicën e vendimeve politike që ka marrë PD-ja. Duhet theksuar se Oketa nuk është sulmuar asnjëherë nga Kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›