E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, Marrëveshje për ligjin e ri zgjedhor

Krerët e institucioneve dhe ata të partive politike parlamentare në Kosovë kanë rënë dakord që të përkrahin në parim një sistem të ri zgjedhor që dallon pak nga ai i vjetri.

Udhëheqësit politikë kanë arritur marrëveshjen që Kosova të vazhdojë të mbetet një njësi zgjedhore dhe që sistemi zgjedhor të jetë propocional.

Sipas marrëveshjes në parim do të duhej të ruhej ndarja automatike e vendeve në parlament për pakicat, në veçanti serbët e Kosovës, si dhe përfaqësimi me 30 për qind i grave.

Marrëveshja është arritur me kundërshtime të një numri të vogël partish mbi njësitë zgjedhore dhe në veçanti mbi rregullin e ri që partitë në zgjedhje të kenë kryetarin e tyre bartës të listës dhe një anëtar tjetër të përzgjedhur, nga 10 syresh sa kanë qenë deri tash.

Ligji për zgjedhjet do të duhet të jetë i gatshëm me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Kosovës më 15 qershor dhe ai është i paraparë edhe me paketën Ahtisaari.

Sipas kësaj pakete Kosova do të duhej të hynte në zgjedhje të reja nëntë muaj pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës dhe partitë politike e kanë përkrahur një qëndrim të tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›