Kosovë, PDK hap dyert edhe për LDK-në
Partia Demokratike e Kosovës i ka dyert e hapura për çdo subjekt politik, përfshirë këtu LDK-në, për të formuar koalicionin e ri qeveritar.
Deklarata është bërë nga nënkryetari Hajredin Kuçi, i cili në një intervistë për të përditshmen “Express”, ka theksuar se për PDK-në janë të gjithë të pranueshëm.
Kuçi është shprehur se për momentin mes PDK-së dhe partive të tjera ka patur vetëm kontakte jozyrtare, por ka nënvizuar se gjërat do të marrin formë pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.
“Ne ende nuk e kemi formalizuar qëndrimin tonë si PDK se me kë do të orientohemi në koalicion. Presim datën 9 janar që të përfundojë edhe ky raund i votimeve, presim që të çertifikohen zgjedhjet, mandatet e deputetëve dhe pastaj të do të jemi shumë të drejtpërdrejtë, shumë të shpejtë dhe shumë konkretë në krijimin e koalicionit të ri qeverisës”, ka deklaruar Kuçi.