E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë: Qeveria në bashkëpunim me NATO do rishqyrtojë disa lëshime në FSK

>Në Kosovë kanë vazhduar debatet lidhur me procesin e ngritjes së Forcës së Sigurisë që po përcillet me pakënaqësi e kundërthënie. Autoritetet janë zotuar për rishqyrtimin dhe po bëjnë thirrje që të mos politizohet procesi i ngritjes së kësaj force, që për shqiptarët paraqet bërthamën e ushtrisë së ardhshme të vendit. Qeveria e Kosovës angazhohet që në bashkëpunim me NATO-n t'i rishqyrtojë disa lëshime, siç u tha teknike, në testet për rekrutimin e pjesëtarëve të TMK-së në Forcën e Sigurisë, ajo vazhdon ta cilësojë të suksesshëm procesin e transformimit dhe shuarjes së TMK-së dhe rekrutimit të pjesëtarëve të saj në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Në anën tjetër, opozita konsideron se procesi është politizuar dhe se qeveria ka përzgjedhur politikisht pjesëtarët e TMK-së për ti rekrutuar në FSK, duke mos i respektuar kriteret profesionale që ishin përcaktuar me konkurs. Ndër të tjera, ministri Mujota, i cili procesin e strukturimit të FSK-së e vlerësoi të suksesshëm, tha se, përkundër disa lëshimeve teknike, procesi i transformimit të TMK-së dhe formimit të FSK-së ka rrjedhur suksesshëm, ndërsa seleksionimi, është bërë në prani të përfaqësuesve të Aleancës Veriatlantike. Ndërsa lidhur me reagimet e fundit të pjesëtarëve të TMK-së, ai tha se ka qenë plotësisht e ditur se gjithë efektivi i TMK-së nuk mund të kalojë në FSK. Ne i kuptojmë të gjithë dhe në bashkëpunim me organet institucionale dhe me KFOR-in , të rishikohen lëshimet teknike dhe jemi të bindur se do të arrihet një përmirësim i dukshëm. Ka qenë e ditur se në FSK, nuk mund të përfshihen të gjithë konkurruesit, prandaj është aprovuar Ligji për pensionimin e parakohshëm për pjesëtarët e TMK-së dhe se, të gjithë pjesëtarët e përfshirë do të marrin pagë për shërbim deri më 14 qershor të vitit 2010, tha Mujota. Gjithashtu siç pohoi ministri Mujota, të gjithë pjesëtarët tjerë do të kenë përkujdesje të veçantë institucionale dhe se asnjëri nga pjesëtarët e TMK-së, nuk do të mbetët i pa sistemuar. Ndërkaq, reagimin e fundit të ish-pjesëtarëve të TMK-së, se gjatë transformimit ka ndodhë praktika e seleksionimit subjektiv, Mujota tha se lëshimet teknike janë të mundshme, ndërsa kundërshtoi mundësinë që të ketë ndodhë lëshim sistematik. Qeveria, ndërkaq ka bërë thirrje që të mos të politizohet me pjesëtarët e TMK-së që kanë mbetur jashtë procesit. FSK, si strukturë ushtarake autoktone është parashikuar që të këtë rreth 2.800 pjesëtarë aktiv dhe 500 rezervë. Vetëm nga TMK në këtë strukturë kanë kaluar rreth 1.400 pjesëtarë, ndërsa konkursi për pranimin e kadetëve të rinj është i hapur dhe vazhdon edhe disa ditë. Ministri Mujota, tha se në FSK janë përfshirë edhe 6.5 për qind të pjesëtarëve nga radhët e minoriteteve, ndërsa rreth 3.5 për qind janë femra.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›