Kosovë, Rexhepi reagon ndaj provokimeve serbe: Gjithmonë kanë dështuar
Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës i janë kundërpërgjigjur të mandatuarit për formimin e qeverisë së re të Serbisë, Ivica Daçiç, i cili kishte deklaruar se do të angazhohet për kthimin e forcave serbe të sigurisë në Kosovë. Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Bajram Rexhepi, ka thënë të shtunën se askush nuk duhet te frikësohet nga betimi i xhandarëve serbë për të luftuar dhe vdekur për Kosovën. Në një deklarate të shkurtër për “Kohën Ditore”, ai është shprehur i sigurt se një betim i kësaj natyre do të shkelet, ashtu siç janë shkelur edhe shumë betime të tjera nga ultranacionalistët serbë.
“Megjithëse kjo është çështje interne e tyre, unë jam i sigurt se xhandarmëria serbe do ta shkelë betimin që ka dhënë. Sa herë janë betuar, ata kanë dështuar. Kjo është në traditën e tyre”, ka thënë ministri Rexhepi.
Ai ka deklaruar se thirrjet ultranacionaliste janë të pritshme, e sidomos tani kur në Serbi kanë fituar forcat radikale.
“Me fitoren e Ivica Daçiçit mund të priten paralajmërime të tilla, por unë them se thirrjet e tij për ta kthyer ushtrinë dhe xhandarmërinë në Kosovë janë vetëm fontanë dëshirash dhe iluzion i tij”, ka deklaruar Rexhepi.
Idetë për konflikte të reja në Ballkan, siç ka thënë ai, mund të ekzistojnë vetëm te njerëzit që nuk e njohin realitetin në të cilin janë duke jetuar.
“Edhe intervenimet, edhe konfliktet në Ballkan kanë përfunduar. Nxitjet për luftë janë vetëm në mendjet e njerëzve që nuk e kuptojnë realitetin, ose në mendjet e atyre që këtë e bëjnë vetëm për qëllime të caktuara politike”, ka theksuar Rexhepi.