Sezoni veror, fluks hyrje-dalje në dogana
Në Kapshticë shënohet numri më i madh i lëvizjeve
Sezoni veror dhe dëshira për të pushuar së bashku me familjet në atdhe ka shtuar fluksin e emigrantëve në fillim të muajit korrik në pikat e kalimit doganor .
Në Morinë gjatë 24 orëve kanë hyrë 9400 shtetas me 6300 mjete ndërsa kanë dalë 11000 shtetas me 6500 mjete. Porti i Durrësit është përballur me një numër të lartë udhëtarësh, të cilët hyjnë në vendin tonë. Aktualisht në port janë ankoruar tre tragete prej të cilëve kanë zbritur mbi 2370 emigrantë si dhe 790 automjete. Ndërkaq në orët në vijim pritet të mbërrijnë po aq shtetas me dy tragete të tjera, duke e çuar numrin e tyre në rreth 4 mijë shtetas në total. Në mbrëmje pritet të largohen nga porti i Durrësit mbi 400 shtetas , 235 prej të cilëve shtetas të huaj. Ndërsa një natë më parë nga porti i Durrësit janë larguar 370 shtetas. Ndonëse numri i shtetasve që hyjnë në vendin tonë mbetet i lartë, në portin e Durresit nuk janë regjistruar rradhë të gjata apo probleme në përpunimin e të dhënave për shtetasit e automjetet .
Në portin e Vlorës gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë mbi 560 pasagjerë dhe 70 automjete, ndërkohë që sot nuk ka dalje, pra trageti nuk ikën në drejtim të Italisë ditën e dielë.
Në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës në 24 orët e fundit kanë hyrë 3465 shtetas me 900 automjete. Ndërsa kanë dalë 2367 dhe 591 mjete.
I njëjti fluks emigrantësh dhe paraqitet edhe ne pikën kufitare të Kapshticës në të cilën gjatë 24 orëve ë fundit kanë hyrë 4274 persona dhe kanë dalë 2321 persona. Situata paraqitet normale dhe pavarësisht fluksi nuk ka radhë të gjatë në pikat kufitare doganor.