E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë-Serbi, takimi i tretë pa rezultate konkrete

BRUKSEL- Takimi i tretë me radhë i delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, që është zhvilluar në Bruksel, nuk ka prodhuar ndonjë rezultat konkret ende dhe ka qenë më i shkurtër sesa takimet e mëparshme. I nisur në orët e pasdites, takimi i së premtes është përmbyllur vonë, praktikisht pothuajse në ditën e fundit të punës së vërtetë të BE-së para festës së Pashkëve.
Sipas një komunikate të lëshuar nga Bashkimi Evropian thuhet: Fokusi kryesor ishte në lirinë e lëvizjes. Diskutimet shkuan rreth disa aspekteve; kartat e identitetit, pasaportat, sigurimi i veturave, patentë shoferët dhe tabelat e veturave. Në këtë deklaratë shtohet se diskutime të mëtejme do të duhen, përfshirë edhe çështjen e njohjes së diplomave universitare që u paraqit si temë edhe sot.
Më tej në komunikatën e BE-së thuhet se në dritën e punës së grupeve të ndryshme teknike punuese pjesëmarrësit shqyrtuan çështjet e hapura të regjistrit civil, telekomit dhe energjisë. BE-ja ka shprehur nevojën që të gjendet një zgjidhje në përputhje me trashëgiminë ligjore të Bashkimit Evropian. Takimi i ardhshëm do të zhvillohet nga mesi i muajt maj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›