Kosovë, Thaçi: Do vazhdojmë dialogun me Serbinë

“Kosova do të vazhdojë dialogun me Serbinë mbi parimet e barabarta si shtet dhe mbi bazat e Kushtetutës dhe Pakos së Ahtisaarit”. Kështu ka deklaruar kryeministri Hashim Thaçi. Në anën tjetër, opozita e cilëson shumë të ngutshëm vendimin e qeverisë që të vazhdoj bisedimet me Serbinë pa kushte, pas zhvillimeve të fundit në veri dhe implikimeve të qeverisë serbe atje.
Sidoqoftë, kryeministri Thaçi përsëriti se Prishtina po shkon në bisedime si palë e barabartë që pozicionin e vet e ka ndërtuar mbi bazat e kushtetutës dhe dokumentit gjithëpërfshirës për statusin.
“Ne jemi në përfundim të procesit të pavarësisë së mbikëqyrur dhe në kuadër të kësaj të konsolidimit të shtetit tonë dhe natyrisht të respektimit të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, dokumentit të presidentit Ahtisaari, pra konsolidimit, forcimit dhe avancimit të shtetësisë së Kosovës”, ka deklaruar Thaçi.
Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës, si subjekti më i madh opozitar, i sugjeron qeverisë që të mos i vazhdoj bisedimet pa ridefinimin e tyre. Deputeti i kësaj partie, Skënder Hyseni thotë se dialogu nuk do të duhej të vazhdonte pa përcaktimin e kornizës së re të këtyre bisedimeve, në formën e vijave të kuqe.
“Dialogu nuk do të duhej të vazhdonte pa përcaktimin e qartë të disa parimeve prijëse të cilat do të siguronin që Kosova nuk do të prekte në karakterin unitar, do ët siguronin që Kosova nuk do të instalonte sovranitet të ndarë. Por meqenëse qeveria ka vendosur dhe ka marrë vendim që të vazhdoj dialogu atëherë do të duhej që Republika e Kosovës në këtë dialog të mos pranonte as një zgjidhje që do të linte përshtypjen e instalimit të këtij sovraniteti të ndarë”, është shprehur Hyseni.
Kundër vazhdimit të bisedimeve shprehet edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini thotë se ky dialog po i shërben vetëm Serbisë për interesat e saj në proceset integruese evropiane dhe po e dëmton shtetësinë e Kosovës, andaj edhe kuron që bisedimet të ndërpriten.