Kosovë, Thaçi shpall gjendjen e gadishmërisë

Kryeministri Hashim Thaçi ka drejtuar mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, në të cilën është diskutuar gjendja e krijuar në Kosovë pas reshjeve të mëdha të dëborës dhe vështirësitë e krijuara në disa rajone të vendit. Ai tha se Qeveria e Kosovës ka ngritur nivelin e gatishmërisë të shërbimeve dhe mekanizmave qeveritare për t`iu ardhur në ndihmë te gjithë qytetarëve që po përballen me vështirësi.
“Të gjitha potencialet janë vënë në dispozicion për qytetarët e Kosovës, në radhë të parë për të mundësuar qarkullimin qytetarëve, zhbllokimin e vendbanimeve të largëta të bllokuara nga bora, sigurimin e shërbimeve emergjente shëndetësore, furnizimit të qytetarëve me energji dhe ngrohje dhe furnizimin me mjetet tjera të nevojshme për të përballuar situatën emergjente”, ka thënë kryeministri Thaçi duke theksuar se situata në Kosovë vazhdon të jetë nën kontroll.
Këshilli i Sigurisë ka vendosur që gjendja e gatishmërisë për FSK-në, Policinë e Kosovës dhe zjarrfikësit, të jetë në nivel të lartë, ndërsa Qeveria e Kosovës do të mundësojë ridestinim të fondeve në nivel lokal dhe qendrorë dhe do të marr masa për plotësimin e mungesave gjatë vitit.
Në mbledhje është kërkuar angazhim maksimal i të gjitha ministrive kompetente për përballimin e gjendjes si dhe është vendosur që të kërkohet edhe nga KFOR-i ndihmë logjistike në përballimin e gjendjes së krijuar. Sipas nevojave që do të krijohen nga gjendja dhe zhvillimi i situatës në terren, Qeveria e Kosovës do të ndihmojë edhe komunat në përballim të situatës.
Në emër të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, kryeministri ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe të gjithë banorëve të fshatit Restelicës për vdekjen e nëntë anëtarëve të familjes Reka, si pasojë e ortekut të borës që i zuri në shtëpitë e tyre ditën e shtunë.
Gjithashtu Thaçi ka shprehur falënderimin edhe për të gjithë qytetarët, FSK-në, departamentin e emergjencave, Policinë, shërbimet dhe të gjitha kategoritë e punëtorëve të cilët po punojnë në kushte të rënda për tejkalimin e gjendjes së krijuar dhe ka rikonfirmuar angazhimin e të gjitha potencialeve në tejkalimin e situatës në të cilën ndodhemi.