Basha takime me Emirin e Katarit dhe zv.Kryeministrin
Kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha në kuadër të vizitës së tij në Katar, është pritur në takim nga Emiri i Katarit Sheikh Hamad Bin Khalifa Al Thani. Emiri i Katarit e uroi Bashën, për marrëveshjen e nënshkruar një ditë më parë për binjakëzimin e Tiranës me Dohan, duke e konsideruar këtë, një shenjë inkurajuese për intensifikimin e bashkëpunimit mes dy qyteteve.
Gjatë takimit me kryebashkiakun Basha, Emiri i Katarit Sheikh Hamad Bin Khalifa Al Thani ka shfaqur interes për ecurinë e projekteve të reja strategjike, të lançuara nga Kryetari i Bashkisë.
Nga ana e tij Basha e ka njohur Emirin e Katarit me këto projekte, duke nisur nga ai i zgjatimit të bulevardit të Tiranës dhe interesin e madh që studiot më të famshme arkitekturore kanë shprehur, për hartimin e projektit të tij. Në vijim Basha bëri një prezantim edhe të ndërtimit të dy linjave të tramit, ndërtimi i terminalit të ri etj.
Ndërkaq Emiri i Katarit shprehu mbështetjen e tij dhe agjencive të investimeve të Katarit, për zhvillimin e projekteve publike të Bashkisë së Tiranës si dhe e siguroi Bashën se do të angazhojë të gjithë strukturat e specializuara të shtetit të Katarit, për të nxitur dhe inkurajuar kompanitë e njohura të Katarit, për të investuar në Tiranë dhe Shqipëri.
Në vijim të vizitës së tij Kreu i bashkisë së Tiranës ka pasur takim dhe Zv.Kryeministrin e Katarit Abdullah Al-Attiyah.
Në këtë kuadër, Basha bëri një panoramë të punës së tij. Ai theksoi se që në nisje të punës së tij ka ndërmarrë disa hapa, për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të nxitur punësimin, si: heqja dhe reduktimi i 60 taksave dhe tarifave vendore, çlirimi nga taksat bashkiake, për një periudhë 4- vjeçare, për të gjithë kompanitë që punësojnë mbi 50 punonjës etj.
Basha theksoi se, “Tirana është një qytet miqësor për investimet është prioritet i Bashkisë”.