E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, arrestohet banda për prostitucion dhe lëndë narkotike

Drejtoria e Hetimeve të Trafikimit me Qenie Njerëzore, njësia e Prishtinës, ka arrestuar sot 11 të dyshuar për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar.
 

Procedura hetimore për këtë rast kishte filluar rreth dy muaj më herët me dyshimin e bazuar se në një motel në Prishtinë zhvilloheshin aktivitete të kundërligjshme duke përfshirë edhe trafikimin me qenie njerëzore dhe krimin e organizuar.
Me urdhëresë të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, sot rreth orës 02:00 ka filluar procesi i kontrollit në këtë motel nga zyrtarët policorë të DHTQNJ-së i cili rezultoi me arrestimin e 11 të dyshuarve prej të cilëve 5 shtetas kosovarë dhe 6 femra, shtetase të Serbisë, që vijojnë si më poshtë:

1 E. Kastrati
2 F. Berisha
3 A. Krasniqi
4 B. Kastrati
5 N. Bejiq
6 A. Rihteroviç
7 S. Ugraniç
8 S. Petroviç
9 K. Ver
10 J. Diniç
11 D. Veliçkoviç
Gjatë procedurës hetimore dhe realizimit të planit policor të koduar “Jakova”, policia ka identifikuar edhe një viktimë potenciale të trafikimit me qenie njerëzore, e cila është shtetase e Republikës së Shqipërisë, njofton Zyra për informim dhe marrëdhënie me publikun e Policisë së Kosovës.
 

Po ashtu, gjatë realizimit të kontrollit në motelin ku zhvilloheshin aktivitetet e paligjshme policia ka gjetur dhe sekuestruar sasi të substancës narkotike që dyshohet të jetë kokainë dhe marihuanë si dhe një armë të ftohtë (Elektro-shok).
Personave të dyshuar, të cilët janë arrestuar gjatë këtij operacioni, u është caktuar masa e arrestit me burg për 48 orë, deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›