Kosovë, diskutohen ndryshimet në Kushtetutë

Pas dy muajsh pune, Komisioni për Ndryshimin e Kushtetutës në Kosovë, pritet të zhvillojë një mbledhje ku do të shqyrtojë dhe miratojë dokumentin me konkluzionet dhe alternativat fillestare në lidhje me amendimin e dispozitave kushtetuese, që ndërlidhen me zgjedhjen e presidentit.
Komisioni, ka përmbyllur me sukses fazën e parë të këtij procesi dhe ka arritur të identifikojë të gjitha dispozitat kushtetuese që do të jenë objekt i shqyrtimit dhe amendimit.
“Me ndihmën e një grupi të gjerë të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe veçanërisht asistencës teknike dhe profesionale të ofruar nga USAID, NDI dhe IFES, Komisioni ka hyrë në procesin e shqyrtimit të detajuar të dispozitave kushtetuese që duhet ndryshuar”, thuhet në dokument.
Njëkohësisht, Komisioni është angazhuar edhe në përcaktimin e konturave për Ligjin për Zgjedhjen e Presidentit dhe identifikimin e çështjeve që do të rregullohen me të.
Gjatë këtij procesi, sipas dokumentit, komisioni ka konsultuar mbi 40 kushtetuta të shteteve të ndryshme me fokus të veçantë në kushtetutat e vendeve që zgjedhin drejtpërdrejt presidentin.
Në dokument thuhet se edhe pse në shumë aspekte ekziston konsensus brenda komisionit, janë disa çështje që kanë mbetur ende të hapura dhe me shumë alternativa. Sa i përket nenit 83 të Kushtetutës, te statusi i presidentit, komisioni është pajtuar që ky nen të mbetet ashtu siç është.