E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, forcat speciale tërhiqen nga Veriu

Zyrtarët e Policisë së Kosovës, konfirmojnë tërheqjen e forcave speciale nga 2 pikat kufitare në veri. Sipas tyre, forcat speciale të Policisë së Kosovës ,“ROSU” kanë përmbushur detyrat e tyre dhe janë tërhequr.
 

Po ashtu, ministri i Punëve të Brendshëm të Kosovës, Bajram Rexhepi ka konfirmuar se është arritur marrëveshja me KFOR-in për tërheqjen e njësive speciale nga pika 1 dhe 31 në veri. Ai ka thënë se njësia speciale tashmë ka kryer misionin e saj.
 

“Njësia speciale ka kryer misionin e vet, misioni i tyre ka qenë kthimi i ligjshmërisë në pikën 1 dhe 31”, ka thënë Rexhepi, i cili ka shtuar se tashmë në pikat kufitare në veri do të vendosen policia e përbërë nga serbë dhe shqiptarë po ashtu edhe nga doganierët serb dhe shqiptar.
Ai ka konfirmuar se policia dhe doganierët do të asistohen nga KFOR-i, pasi ky mision është përgjegjës për sigurinë në vend. Ministri i Brendshëm ka njoftuar se fillimisht policia dhe doganierët do të dërgohen në pikat kufitare me helikopterë derisa të përmirësohet gjendja në veri.
 

Ai ka thënë se është dhënë një ide, që policët dhe doganierët të punojnë me orar të zgjatur nga 12 në 24 orë. Ndërsa televizioni serb raporton se rrugët në Leposaviq dhe Zubin Potok vazhdojnë të jenë të bllokuara.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›