E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, jep dorëheqjen kreu i PDK-së Memli Krasniqi

Memli Krasniqi ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës.

Ai e ka dorëzuar dorëheqjen e tij gjatë mbledhjes së sotme të Kryesisë së PDK-së.

“Ky vendim nuk është i momentit e as i zhvillimeve të fundit. Është reflektim mbi atë se çka i duhet PDK-së në fazën e ardhshme. Nuk është vendim prej lodhjes apo zhgënjimit – por prej dashurisë për partinë time. E bëj këtë me paqe në shpirt dhe me dashuri në zemër. Dashuri për PDK-në. Dashuri për Kosovën.

PDK është më shumë se një parti – është një amanet nga ata që luftuan për liri, për shtet dhe për dinjitet. Amaneti mbahet gjallë vetëm kur ne udhëheqim me shembull, me guxim dhe me përulësi. Kjo është detyra e liderit – të dijë jo vetëm si të qëndrojë mirë, por edhe si të largohet mirë”, shprehet Krasniqi.

Fjalimi i tij mbyllet me mirënjohje për qytetarët, aktivistët, bashkëpunëtorët dhe familjen e tij:

“Unë largohem nga detyra e Kryetarit të PDK-së me paqe, me mirënjohje dhe me krenari. Kam bindjen e thellë se PDK do të mbetet në duar të sigurta – në duar të njerëzve që besojnë, që punojnë dhe që bashkojnë. Kjo nuk është lamtumirë – por vetëm mirupafshim. Sepse kjo është shtëpia ime e dytë, shtëpia ime politike, shtëpia e krenarisë sime jetësore. Zoti e bekoftë PDK-në. Zoti e bekoftë Kosovën.”

Krasniqi ishte zgjedhur në krye të PDK-së më 3 korrik të vitit 2021, me shumicë votash të delegatëve pjesëmarrës në Konventën zgjedhore të partisë 469 vota pro dhe 7 kundër.

Ai ishte rikonfirmuar në këtë pozitë më 21 qershor 2025, gjatë Konventës së 11-të të përgjithshme të PDK-së.

Gjatë zgjedhjeve lokale, PDK-ja arriti të fitojë komunat e Prizrenit, Ferizajt, Skenderajt, Vushtrrisë, Kaçanikunt dhe Hanin e Elezit.

Kryetari i ri pritet të zgjidhet në Konventën e PDK-së, e cila do të mbahet më 17 nëntor.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›