E Diel, 1 Nëntor 2026

EMRAT/ Atentati në Rinas, ndalohen polici dhe oficeri i Komisariatit nr.3 në Tiranë. Ja për çfarë dyshohen

Rreth 24 orë nga atentati i Rinasit ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos rëndë Muçi Shaljani, policia ka vënë në pranga një polic dhe një oficer të Komisariatit nr.3 në Tiranë.

Të ndaluarit dyshohen se kanë favorizuar Shaljanin të bëhet pjesë e Agjensisë së Mbikqyrjes Policore, duke falsifikuar vula dhe dokumente.

Sipas AMP, janë konstatuar shkelje të procedurave ligjore në rekrutimin e 40-vjeçarit.

Fax News mëson se, të ndaluarit janë Bruno Cara dhe Arshim Zajmi.

Njoftimi zyrtar:

“Në vijim të komunikimit në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në rrethrrotullimmin pranë aeroportit “Nënë Tereza”, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pas kryerjes së veprimeve hetimore, ka ndaluar punonjësit e policisë Nënkomisar B.C., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve dhe Inspektor A.Z., me detyrë Nd/Specialist i Policimit në Komunitet, pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i vulave i stampave ose i formularëve” dhe “Shpërdorim i detyrës”.

Këta punonjës policie dyshohet se në bashkëpunim kanë përpiluar Vërtetimin e Besueshmërisë për shtetasin M.Sh., pa pasqyruar në të, të dhënat të cilat përbëjnë shkak për cënimin e kushteve të sigurisë. Ky detyrim i papërmbushur është i përcaktuar në dispozitat e ligjit “Për Policinë e Shtetit” dhe ligjet që normojë veprimtarinë e agjencive ligjzbatuese, gjë që ka sjellë punësimin e këtij shtetasi pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Gjithashtu nga veprimet paraprake të kryera nga AMP-ja në lidhje me procesin e rekrutimit të shtetasit M.Sh., u konstatuan shkelje të procedurave ligjore. Në përfundim të verifikimeve, me qëllim hetimin objektiv dhe gjithpërfshirës të çështjes, praktika dokumentare u dërgua në formën e kallëzimit penal në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për të përcaktuar grupin hetimor dhe përgjegjesitë ligjore të personave, të cilët janë konstatuar në paligjshmëri.

Hetimet vazhdojnë për sqarimin e plotë të procedurave të ndjekura dhe përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë rast”.

Muçi Shaljani (Sheqeri) ishte prej tre muajsh punonjës i AMP, ndërsa më herët Drejtori i Përgjithshëm i saj, Eduart Merkaj, urdhëroi pezullimin e zinxhirit komandues të strukturës së Forcës së Posaçme Operacionale të AMP-së deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e djeshme, rreth orës 14.20, pranë rrethrrotullimit të Rinasit ku pas një atentati të mirëorganizuar u vra Gilmando Dani, 47 vjeç, pasagjer në automjetin që drejtonte Shaljani, 40 vjeç.

LEXO EDHE: VIDEO/ Momenti i ekzekutimit të Gilmando Danit në Rinas

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›