E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, korrupsioni dhe krimi i organizuar pengojnë vizat

KOSOVE- Qeveria e Kosovës dhe institucionet e drejtesisë duhet të punojnë fort, me hapa të mëdhenj dhe hapa konkrete e të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në mënyrë që Kosova të liberalizojë vizat me vendet e BE.

Kështu ka vlerësuar Grupi për Studime Juridike dhe Politike, i cili ka prezantuar raportin e tretë me radhë, “Procesi i liberalizimit të vizave: Një matriks vlerësimi mbi të arriturat dhe sfidat”, i cili vë në pah arritjet, por edhe identifikon dështimet e institucioneve të Kosovës në zbatimin e rekomandimeve që dalin nga raporti i parë i vlerësimit të Komisionit Evropian, por edhe identifikon sfidat dhe dështimet e Kosovës në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave, që përfshin periudhën Qershor 2012 – Gusht 2013. 

Dren Doli, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka vërejtur se Kosova ka bërë progres të dukshëm në miratimin e pakos legjislative që kanë të bëjnë me ligjet anti-korrupsion dhe ligjet e tjera që lidhen me lufën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por zbatimi i tyre mbetën një ndër kritikat kryesore që Komisioni Evropian në vazhdimësi po adreson në drejtim të Kosovës. 

“Institucionet e Kosovës nuk kanë treguar progres të dukshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. 

Qeveria e Kosovës dhe institucionet e drejtësisë duhet të kuptojnë se pa hapa dhe rezultate konkrete të prekshme dhe të matshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk mund të vendosim marrëdhënie normale me Bashkimin Evropian. 

Kjo gjë po reflektohet dukshëm në procesin e liberalizimit të vizave, ku blloku më i rëndësishëm në këtë fushë është rendi dhe siguria publike, ku progresi i Kosovës në këtë fushë është shumë i vogël”, ka pohuar ai. 

Mungesa e ligjit mbi përgjimet është një kërkesë tjetër e BE-së, e cila kërkon të jetë në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira që janë në implementim. Ndërsa financimi i partive politike mbetet njëra ndër çështjet kryesore që institucionet gjegjëse duhet të adresojnë. 

Një rekomandim tjetër i Komisionit Evropian, sipas Grupit për Studime Juridike dhe Politike, ka të bëjë me zgjedhjet lokale, ku kërkohet organizimi dhe evidentimi i mirë i këtyre zgjedhjeve, pasi që kjo çështje, sipas Dolit, mbetet kryesore që KE do të fokusohet në vlerësimin nëse institucionet e Kosovës kanë maturin dhe gatishmërinë e mjaftueshme për të krijuar një shtet ligjor. 

Njëkohësisht, ky grup ka dhënë edhe rekomandimet për institucionet e vendit, të cilat duhet të merren me seriozitet, në mënyrë që të përmbushin sa më parë rekomandimet në kuadër të udhërrëfyesit deri në fund të këtij viti, nëse dëshirojnë që liberalizimi i vizave për Kosovën të ndodhë vitin e ardhshëm. 

“Institucionet e vendit të fillojnë zbatimin dhe implementimin e të gjitha rekomandimeve që janë dal nga raporti i parë i vlerësimit i KE-së dhe të përmbushin sa më parë të gjitha rekomandimet në kuadër të udhërrëfyesit deri në fund të këtij viti. 

Sepse në pranverë të vitit 2014 do të kemi zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe shumica e bartësve politik të institucioneve të BE-së mund të ndryshojnë dhe kjo reflektohet sidomos në gatishmërinë e njerëzve të rinj që t’i ofrojnë Kosovës një raport pozitiv në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave”, ka pohuar ai. 

(m.s/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›