E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, kujtohet 12 vjetori i ndërhyrjes së NATO

PRISHTINE- Si sot, 12 vjet më parë bombardimet e para mbi bazat serbe në ish-Jugosllavi, nga aviacioni i NATO-s, shënuan fillimin e përfundimit të agonisë së shqiptarëve të Kosovës nën regjimin e Serbisë. Analistë të çështjeve politike, ekspertëve të sigurisë dhe qytetarëve shqiptarë në Kosovë kujtojnë sot 12 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s si një mrekulli, por edhe si ankth nga hakmarrja e forcave serbe mbi ta, për shkak të këtyre bombardimeve.

Agim Musliu, ekspert për çështje të sigurisë vlerëson se nga perspektiva e sotme, shihet qartë arsyeshmëria e bombardimeve të NATO-s. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ka qenë e arsyeshme dhe e bazuar në të drejtat elementare, të drejtat e njeriut. Do të thotë, për çështje humanitare, për të shpetuar një popull nga shfarosja e pjesshme apo e tërësishme. Kjo fushatë i ka paraprirë humbjes së luftës së Serbisë në teren, theksoi Musliu.

Mendim të ngjashëm ka edhe Halil Matoshi, analist i çështjeve politike. Ai përkujton mbrëmjen e 24 marsit, 12 vjetëve më parë. Unë kam qenë brenda Kosovës, në Hajvali, ku praktikisht ka rënë Tomahouk-u i parë mbi njësitë speciale të forcave serbe dhe kjo ka qenë fundi i agonisë së një populli të tërë. Nga perspektiva e sotme mund të shihet se doli i drejtë botëkuptimi i shteteve të fuqishme perëndimore se intervenimi humanitar e vlen.

Por, Millan Ivanoviq, lider i serbëve të veriut të Kosovës, e ka quajtur fushatën e bombardimeve të NATO-s shkelje të ligjeve ndërkombëtare, për shkak se, siç ka thënë ai, kjo fushatë nuk ka pasur miratimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ata e quajtën aksionin Engjëlli i mëshirshëm për shkak të kinse katastrofës humanitare. Kemi parë edhe pas 12 vjetësh, kur gjërat janë më të qarta, se nuk ka pasur arsye të vërtetë për bombardim, tha Ivanoviq.

Por, Dragisha Kërstoviq, politikan serb nga Kosova qendrore, thotë se, problemet në Kosovë kanë qenë evidente, megjithë faktin që, sipas tij, bombardimi ka qenë i panevojshëm.  E di që problemi ka qenë serioz. Problemi, për shkak të cilit edhe është ndërmarrë bombardimi, ka qenë vërtetë serioz. Por, megjithatë mendoj se ka mundur të zgjidhet me ndonjë mënyrë tjetër të presionit, me mjete tjera politike, diplomatike, si dhe mjete të tjera.

Sulmet e NATO-s zgjatën 78 ditë. Gjatë asaj kohe, forcat serbe patën dëbuar nga Kosova rreth 1 milion shqiptarë. Fushata e bombardimeve e NATO-s, i detyroi autoritetet e atëhershme serbe që më 9 qershor ta nënshkruajnë të ashtuquajturën Marrëveshje e Kumanovës. Kjo i hapi rrugë hyrjes së forcave tokësore të NATO-s në Kosovë, si dhe tërheqjes së forcave serbe nga vendi. (REl)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›