E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, ministrja Çitaku takon homologen Klajda Gjosha

PRISHTINE - Ministrja kosovare e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, priti sot në takim Ministren e re të Integrimit Evropian të Republikës së Shqipërisë, Klajda Gjosha.

Në takim u bisedua për marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin sa më të ngushtë rreth procesit të integrimit Evropian, njofton zyra e ministres kosovare.

Të dyja ministret vlerësuan punën e deritanishme që është bërë, dhe u zotuan për thellim dhe koordinim të aktiviteteve që do ta përshpejtonin procesin e integrimit dhe avancimit të axhendave të dy vendeve tona.

Ministrja Çitaku, me këtë rast e uroi Ministren Gjosha për përgjegjësinë e re dhe uroi që suksesi të konkretizohet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe Shqipëria dhe Kosova të jenë sa më pranë anëtarësimit në BE. Çitaku po ashtu uroi që “Bashkimi Evropian të na pranoj si Kosovën ashtu edhe Shqipërinë si dy shtete të fuqishme si ekonomikisht ashtu edhe politikisht, në mënyrë që integrimi në BE të jetë sa më i natyrshëm”.

Nga ana e saj Ministrja Gjosha tha se, “bashkëpunimi do të avancohet dhe Shqipëria do të qëndrojë pranë Kosovës për të ndihmuar me përvojën e saj me axhendën Evropiane”.

Në fund të takimit u diskutua për zhvillimet në Kosovë dhe Shqipëri, dhe me bashkëpunimin e thelluar ndërmjet dy qeverive tona. 

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›