E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, mister fati i 1800 personave

PRISHTINE-Familjes Krasniqi iu dorëzuan dje eshtrat e 18 individëve, varrimi i të cilëve pritet të bëhet sot në fshatin Carallugë afër Malishevës. Të 18 individët janë masakruar gjatë masakrave në Kosovë në vitin 1999.
Dorëzimi u bë në Departamentin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Shefi i Misionit EULEX, Xavier de Marnhac, i cili ishte i pranishëm, shprehu përkushtimin e misionit për gjetjen e personave të zhdukur. "Kjo është një ditë me emocion për një familje të Kosovës, e cila do të marrë eshtrat e disa anëtarëve të saj që ishin zhdukur gjatë luftës. Çështja e personave të zhdukur është një çështje shumë e ndjeshme, kurse EULEX-i e konsideron atë me seriozitet dhe është i përkushtuar që ta kryejë detyrën e vet. Stafi ynë, i cili punon në Departamentin e Mjekësisë Ligjore, është duke punuar shumë në këtë drejtim. Edhe njëherë dua të përsëris se ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për ndjeshmërinë e kësaj çështjeje.

Qëllimi është që familjeve t'u kthehen eshtrat e të dashurve të tyre, duke ditur se ata u zhdukën në rrethana tragjike dhe të rënda. EULEX-i mbetet shumë i përkushtuar që të bëjë monitorimin dhe këshillimin e homologëve vendas, në mënyrë që bashkërisht të arrijmë këtë synim aq të ndjeshëm", - tha dje De Marnhac, shef i EULEX-it. Të zhvarrosur në vitin 2004, individët ishin identifikuar nga ekspertët mjekoligjorë të EULEX-it me anë të kombinimeve të ADN-së dhe analizave mjekoligjore antropologjike. Alan Robinson, bashkë-kryesues i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, thotë se departamentit i nevojiten informatat për varreza të mundshme në mënyrë që personat e zhdukur të gjenden. "Ne mund të gjejmë eshtrat e personave të zhdukur vetëm nëse kemi informacione të sakta dhe të besueshme, që do të na mundësonin përmirësimin e kërkimeve dhe do të zvogëlonin parametrat e kërkimit për personat e zhdukur", - u shpreh dje Robinson.

Eshtrat e 18 individëve të familjes Krasniqi janë disa prej gjithsej 250 trupave që gjenden në morgun e spitalit të Prishtinës - e të cilët janë në proces të identifikimit. Që kur ekspertët e EULEX-it filluan punën në Departamentin e Mjekësisë Ligjore në dhjetor 2008, më se 200 trupa u janë kthyer familjeve të personave të zhdukur. Departamenti ka kryer më se 260 operacione nëpër terren. Ndërkaq, të pagjetur janë edhe mbi 1800 shqiptarë, për të cilët nuk dihet asgjë që prej 12 vitesh.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›