Kosovë, ndryshimi i Kodit Penal, kusht i BE-së

Përkrahja ndërkombëtare për heqjen e shpifjes nga Kodi Penal, gjë për të cilën gazetarët protestuan në rrugë dhe e bojkotuan skenën politike në tërësi, sa vjen e shtohet.
Kjo çështje tani është bërë kusht edhe nga BE-ja, pa i dhënë politikës në Kosovë asnjë mundësi tjetër. Pyetësori i dorëzuar Prishtinës për studimin e fizibilitetit në mesin e shumë pyetjeve e përmban edhe pikën ku shumë qartë bëhet e ditur se shpifja nuk duhet të jetë pjesë e Kodit Penal, shkruan gazeta “Zëri”.
“A është shpifja kundërvajtje penale në Kosovë? Nëse po, kur e ka ndërmend Kosova që ta heqë shpifjen nga Kodi Penal”, thuhet në pyetësorin e përgatitur nga Komisioni Evropian.
Pyetësori me 400 pyetje i është dorëzuar Kosovës më datën 7 maj, i cili nga Ministria për Integrime Evropiane, menjëherë u është dërguar të gjitha institucioneve të Kosovës për t`u marrë me çështjet për të cilat Brukseli dëshiron të dijë.
Pyetësori duhet të kthehet në Bruksel në pjesën e parë të qershorit, ndërsa pak kohë më vonë, gjatë muajit qershor, një ekip ekspertësh evropianë do të dërgohet në Kosovë për të verifikuar atë që është kthyer nga Prishtina.
Kështu që deri në pjesën e parë të qershorit, Kuvendi duhet ta ndryshojë Kodin Penal, në të mirë të gazetarëve, pasi përndryshe kjo mund të ndikojë në vlerësimin që do t`i japë Kosovës Brukseli.