E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosove negociatat per qeverine e re. AKR Nuk kemi ende asnje marreveshje

Aleanca Kosova e Re ka mohuar të ketë arritur ndonjë marrëveshje me Partinë Demokratike të Kosovës, për të formuar qeverinë e re. Zëvendëspresidentja e AKR-së Mimoza Kusari Lila, tha për ALSAT, se ka pasur bisedime mes të kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli dhe atij të PDK-së, Hashim Thaçi, por asgjë nuk është konkretizuar dhe rrjedhimisht nuk është arritur te ndonjë marrëveshje.

“Unë jam deklaruar edhe publikisht dhe kemi thënë se kriteri ynë është se ne do të mund të hyjmë në qeveri, por nëse partia tjetër nuk është e gatshme ta zbatoj atë kriter, atëherë natyrisht e diskutojmë pozicionin tonë se a do të hyjmë, dhe ne do të ndihemi komod edhe nëse qëndrojmë në opozitë” tha Kusari Lila.

Ndërsa, Blerand Stavileci, zëdhënës i PDK-së, tha se është PDK ajo që përfaqëson rregullat dhe kriteteret për krijimin e koalicionit qeverisës dhe jo partitë tjera.

“Duhet të saktësuar një gjë që ajo e cila do ta bëjë qeverinë dhe të vendose kushte dhe rregulla të lojës është PDK si fituese e këtyre zgjedhjeve pastaj janë subjektet tjera politike” tha Stavileci.

PDK e kishte paraqitur si punë të kryer koalicionin me AKR-në, pas një takimi që kishin zhvilluar krerët e këtyre dy partive, gjë që është mohuar zëvendësja e Pacollit, Kusari Lila.

Shkelzen Osmani

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›